Site icon Telegrafi

Ronald Reagan – ikonë e politikës amerikane dhe ndërkombëtare

(Me rastin e 100-Vjetorit të Lindjes)

Shtetet e Bashkuara po kujtojnë këto ditë përmes aktiviteteve të shumta anë e mbanë vendit jetën dhe veprën e Presidentit Ronald Regan, i cili, më 6 shkurt do t’i mbushte 100 vjeç. Zoti Regan shërbeu për dy mandate presidenciale, 8 vjet rresht në vitet 1980 dhe sot konsiderohet si njëri prej presidentëve më të admiruar nga amerikanët, bile më i admiruar se Abraham Linkolni dhe Xhon F. Kennedy, sipas organizatës Gallup. Ai ndërroi jetë në vitin 2004 në moshën 93-vjeçare.

Presidenti Regan vlerësohet, anë e mbanë botës për kontributin dhe rolin e tij për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë me ish Bashkimin Sovjetik. Ish-udhëhëqsi sovjetik Mikhail Gorbacev dhe ortaku i tij në këto përpjekje që çuan në mbarimin e Luftës së Ftohët, ka thënë se Presidenti Reagan ishte “një udhëheqës politik i jashtëzakonshëm …, i cili kishte vendosur të bëhej njeri i paqes”. Presidentit Regan i jepet kredia gjithashtu për rigjallërimin e ekonomisë amerikane, që në ato vite ishte në krizë, si dhe për frymëzimin e ndjenjës së optimizmit për shumë amerikanë dhe për arsyen që biografi i tij, Llu Kenen, thotë se ai “e la botën më të sigurt dhe Shtetet e Bashkuara më të begatë, se ç’ishin para se ai të bëhej president”.

Ai njihej gjithashtu edhe për aftësitë e tij të veçanta të komunikimit me njerëzit e thjeshtë, por edhe me kundërshtarët e tij politikë. Ai posedonte qëndrime dhe parime të forta politike si edhe një kulturë të qytetëruar politike. Zoti Regan mbahet mend për betejat politike me kundërshtarin e tij të kohës, udhëheqësin e demokratëve në Kongres, zotin Tip O’Neill, por më në fund, mosmarrëveshjet dhe, debatet dhe nganjëherë edhe grindjet e ashpra politike nuk i pengonin që në mbarim të ditës të uleshin së bashku për të pirë dhe për të bërë shaka me njëri tjetrin. Për Presidentin Regan, i cili njihej për pragmatizëm politik, betejat politike me kundërshtarët e tij demokratë, nuk ishin asnjëherë personale dhe të ulëta, por gjithmonë në një nivel dinjitoz. Ai nuk mbante inate as ndaj gazetarëve që mund të shkruanin negativisht për të dhe administratën e tij, dhe as ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Ai trajtonte me respektin më të madh jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe çdo personi të thjeshtë me të cilët vinte në kontakt. Por mbi të gjitha, ai respektonte dhe admironte shumë popullin amerikan, në të cilin ai kishte besim të patundur.

Edhe Presidenti Obama vuri në dukje vetitë e gatishmërisë së Presidentit Regan për të bashkëpunuar me kundërshtarët politikë duke thënë se “pa marrë parasysh se çfarë mosmarrëveshjesh politike mund të kesh patur me Presidentin Regan – e unë kam patur shumë kundërshtime – është e pamundur të mohohet lidershipi i tij në botë ose aftësia e tij për të komunikuar dhe për të venë në pah vizionin e tij për Amerikën”.

Qytetërimi dhe kultura politike e zotit Regan u vërtetua edhe në skenën ndërkombëtare, ndërkohë që megjithëse ishte njëri prej presidentëve më konservativ dhe anti-komunist të Amerikës, kjo nuk e pengonte atë aspak të angazhohej në debate e negociata edhe me udhëheqësin e atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, zotin Mikhail Borbachov, bisedime këto të cilat, më në fund, çuan në nënshkrimin e traktatit të parë të Luftës së Ftohët për pakësimin e armëve bërthamore, një ngjarje kjo që në atë kohë u quajt si një “çarmatim moral”, nga besnikët dhe përkrahësit e tij më të ngushtë ideologjikë. Me gjithë gatishmërinë e tij për tu angazhuar në bisedime edhe me udhëheqësit komunistë sovjetikë të kohës, të cilët ai i urrente me gjithë qenien e tij, në fillim të administratës së tij ai vuri në dukje qartë qëndrimin e tij ndaj komunizmit kur mbajti fjalimin historik para parlamentarëve britanikë në Westminstër, gjatë të cilit, ndër të tjera tha se “kjo për të cilën po ju flas tani, është një politikë dhe një shpresë afat-gjatë, e që është marshimi i lirisë dhe i demokracisë, i cili do ta hedhë marksizëm-leninizmin në koshin e plehrave të historisë, së bashku me ideologjitë e tjera totalitare të cilat kanë shtypur liritë dhe shprehjen e lirë të qytetarëve”.

Me rastin e100-Vjetorit të Lindjes së Presidentit Regan, udhëheqës të politikës amerikane nga të dy partitë, duke përfshirë edhe Presidentin Obama, janë duke marrë pjesë në aktivitete me rastin e këtij përvjetori dhe në të njëjtën kohë kanë botuar artikuj dhe kanë bërë prononcime në lidhje me jetën, veprën dhe kontributin e Presidentit Regan në historinë amerikane dhe botërore, por edhe në jetën e përditshme të amerikanëve, dhe kanë vlerësuar veprimtarinë e tij të palodhur për sigurimin e paqes, të lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës.

Presidenti Barak Obama tha se “zotësia e zotit Regan ishte në faktin se ai mundi të bashkonte të gjithë amerikanët pa dallim, rreth patriotizmit”, duke shtuar se “ne jemi të gjithë patriotë, që mbi të gjitha, vendosim fatin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”. Zoti Obama tha gjithashtu se zoti Regan besonte se gjithsecili prej nesh ka fuqinë si individ dhe si komb për të vendosur vet fatin e vet. Ai kishte besim në premtimin amerikan, në rëndësinë e vlerave siç janë puna e rëndë dhe përgjegjësitë personale të individit, si edhe në aftësinë e vet unike për të frymëzuar të tjerët të ndërmerrnin punë dhe vepra të mëdha”. Sipas zotit Obama, “megjithëse Presidenti Regan e dinte se konfliktet politike midis partive dhe kundërshtarëve politikë janë të paevitueshme, ai ishte gjithashtu i vetëdijshëm se pa marrë parasysh se sa të pakapërcyeshme qofshin ato – nuk do të mund të prishin kurrë lidhjet që na bashkojnë”, përfundoi zoti Obama.

Nga ana e tij, senatori republikan, Xhon Makein tha se Presidenti Regan kishte “një besim të palëkundshëm në madhështinë e kaluar dhe të ardhme të Amerikës, besim ky që provoi se ishte më i fortë se ndjenjat politike të kohës. Ky besim i fortë i tij në Amerikën dhe në popullin e saj, si dhe besimi i tij se të gjithë njerëzit duhet të jenë të lirë, sipas senatorit Makein, bëri të mundur që zoti Reagan tu bënte thirrje tiranëve që të hiqnin muret dhe të lejonin popujt e tyre të merrnin frymë lirisht. Ish-governatori Mit Romney, i cili është një kandidat i mundshëm për president i Partisë Republikane, në një artikull me këtë rast shkruan se zoti Regan “u ra kambanave të lirisë dhe u dha kurajo njerëzve të guximshëm përtej perdes së hekurt që kundërshtonin një prej tiranive më të mëdha të kohërave modern, ‘perandorinë e së keqes’ të komunizmit, duke bërë thirrje për rrëzimin e Murit të Berlinit, që më në fund çoi në fitoren e Luftës së Ftohët dhe në lirinë e qindra miliona njerëzve anë e mbanë botës komuniste”.
Presidenti George Bush (i vjetër), i cili pat konkurrua kundër zotit Reagan për emërimin për president nga Partia Republikane dhe i cili shërbeu në detyrën e nën-presidentit dy herë me radhë, bashkoi forcat me Presidentin Reagan për të fituar dy mandate presidenciale dhe së bashku udhëhiqen vendin gjatë një periudhe shumë të turbullt, e cila çoi në mbarimin e Luftës së Ftohët dhe në shpartallimin e ish-Bashkimit Sovjetik, tha se gjatë tetë vjetëve si nën-president, ai mësoi nga Ronald Regan më shumë se nga ndonjë njeri tjetër gjatë gjithë karrierës së tij politike. Mbi të gjitha, tha Presidenti Bush i vjetër, ai vet, por edhe bota ka mësuar nga zoti Regan dashurinë, mirësinë, kurajon dhe ndershmërinë, që sipas tij ishin karakteristika të njohura të Presidentit Regan.

Presidenti Reagan ishte një figurë-ikonë e shekullit 20-të. Ai e dinte se liria ishte në rrezik dhe bëri çmos për t’i dhënë fund Luftës së Ftohët pa zbrazur asnjë fishek. Ishte mjeshtër për të bindur kundërshtarët e tij, por gjithmonë duke respektuar pikëpamjet dhe dinjitetin e tyre. Ai ishte tolerant jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por në të njëjtën kohë, ai vinte në dukje edhe një tolerancë të pashoqë fetare. Megjithëse nga besimi ishte i krishterë protestant, ai tregonte një respekt të jashtëzakonshëm ndaj feve të tjera, e veçanërisht ndaj fesë katolike. Në radhët e këshilltarëve të tij më të ngushtë dhe më besnikë kishte disa katolikë amerikanë, sidomos, ekspertë të politikës së jashtme, zyrtarë të lartë si Richard Allen, i Këshillit për Sigurimin Kombëtar, William Casey i CIAs, Aleksander Haig, Sekretar i Shtetit, Vernon Walters, Ambasador pranë Kombeve të Bashkuara, e tjerë. Por njeriu më me influencë ishte William Clark, i cili zëvendësoi zotin Allen si Këshilltar për Sigurimin Kombëtar. Zoti Clark, një ish-seminarist, mbikëqyrte dhe zbatonte të gjitha direktivat që kishin të bënin me botën komuniste dhe me perandorinë sovjetike.

Shumë prej autorëve të fjalimeve të tija i përkisnin gjithashtu fesë katolike, si Peter Robinson, autori i fjalimit të zotit Regan në Berlin dhe Peggy Noonan e Tony Dolan që kanë shkruar fjalimet më të famshme të Presidentit Reagan, në lidhje me politikën e jashtme por edhe fushë të tjera. Toleranca e tij fetare – e cila transferohej edhe në fushën e politikës –u pasqyrua më së miri nga marrëdhëniet që zoti Regan kishte me murgeshën shqiptare Nënë Terezën, Papën Gjon Palin e Dytë dhe Kardinalin Cooke të New York-ut, të cilëve, njoftohet se u pat thënë pas atentatit kundër tij, se ai besonte se Perëndia ia kishte shpëtuar jetën me qëllim për të rrëzuar komunizmin sovjetik. Sipas profesorit amerikan Paul Kengor, i cili ka shkruar disa libra mbi Presidentin Regan, rrëzimi i komunizmit për Papën Gjon Palin e Dytë dhe Presidentin Regan ishte një angazhim i përbashkët për këtë ndërmarrje historike.

Gjatë gjithë këtij viti, dhe anë e mbanë Amerikës, janë në plan të mbahen përkujtime dhe nderime me rastin e 100-vjetorit të lindjes së njërit prej presidentëve më të mëdhenj të Amerikës. Besoj se nderimi më i madh që mund t’i bëhej Presidentit Ronald Regan me këtë rast është që politikanët amerikanë, (por edhe të tjerë) të marrin shembull nga ai, i cili megjithëse kishte bindje te forta politike, ato nuk e pengonin atë aspak tu shtrinte dorën e miqësisë e të mirëkuptimit, kundërshtarëve politikë brenda vendit dhe bile edhe armiqve të Amerikës jashtë vendit. Ndryshimi i tonit politik dhe rivendosja e një kulture politike të qytetëruar dhe reskeptuese për pikëpamjet dhe qëndrimet politike të njëri-tjetrit, si në politikën e brendshme këtu në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, do të ishte nderimi më i madh që mund t’i bëhej Presidentit Ronald Regan me rastin e këtij 100-Vjetori të lindjes.

Exit mobile version