Tashmë është konfirmuar zyrtarisht se Ronald Koeman do të jetë trajneri i ri i Barcelonës.
Strategu holandez u largua nga Tulipanët, për të realizuar ëndrrën e tij që e kishte të kamotshme për të drejtuar skuadrën katalunase.
Blaugranasit do të paguajnë dëmshpërblim te kombëtarja e Holandës për shërbimet e Koemanint deri në pesë milionë euro për prishje të kontratës.
Por, sipas mediave katalunase – është vetë strategu që ka pranuar të ulë pagën e tij dhe të paguajë shumën e kërkuar nga holandezët, vetëm që të ulet në bankinën e skuadrës.
Barcelona e filloi sezonin me Ernesto Valverden, për ta shkarkuar atë dhe e zëvendësoi me Quique Setienin.
Ky i fundit e mori skuadrën në vendin e parë në La Liga, mirëpo e humbi garën për titull kundër Real Madridit, për të pasuar me turpërimin 8-2 që ua bëri Bayern Muichu në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Pas shkarkimit të Setien, skuadra nga Katalunia vendosi të rikthente Koemanin në skuadër, por tani si trajnerin e tyre.
Kush është Ronald Koeman?
Koeman është një figurë mitike e Barcelonës. Holandezi kishte shënuar golin vendimtar për katalunasit në vitin 1992 në stadiumin Wembley, për t’ju fituar Kupën Evropiane për herë të parë në histori.
Ishte një pritje e gjatë për këtë trofe, pas shumë dështimeve, ku kujtohet humbja ndaj Steaua Bucurestit në Sevillë. Ai ishte lojtari më premtues në formacionin e ëndrrave të Johan Cruyffit dhe ka kaluar gjashtë vite me skuadrën e Barçës (1989-95).
Ai ishte njëri ndër liderët e skuadrës dhe mbante disa rekorde si më së shumti gola të shënura nga ndërhyrje t palejueshme ( e thyer nga Lionel Messi) dhe mbrojtësi me më së shumti gola në hisotir të La Ligës (rekord i thyer në këtë edicion nga Sergio Ramos).
Koeman u largua nga Barcelona në vitin 1995 për të luajtur edhe për dy vite të tjera te Feyenoordi. Ai u pensionua nga futbolli, ku kishte fituar trofe si, Kupën Evropiane, Ligën e Holandës dhe katër La Liga.
Më pas ai filloi profesionin si trajner. Fillimisht ishte asistent i Louis van Gaalit, mirëpo zgjati vetëm një vit. Më pas mori drejtimin e disa skuadrave si në Portugali, Holandë, Spanjë e Angli. Kishte faza të ndryshme. Në Holandë, ai ishte trajner i pesë skuadrave të ndryshme dhe fitoi tre tituj, dy me Ajaxin dhe një me PSV-në.
Në Spanjë, ishte në krye të skuadrës së Valencias në edicionin 2007/08. Ai largoi nga skuadra tre veteranë si, Albelda, Angulo dhe Canizares, Problemet për të në skuadër ishin konstante, mirëpo kjo gjë nuk e ndaloi atë të fitonte një trofe. Natyrisht, me situatën e krijuar atij iu desh që të largohej nga klubi në fund të edicionit.
Në Ligën Premier, ai ishte trajner i Southamptonit dhe Evertonit, me të cilët nuk fitojë tituj, por transferoi lojtarët që tashmë janë të dalluar si, Virgil Van Dijk e Sadio Mane (që të dy aktualisht te Liverpooli).
Së fundmi, ai ishte në krye të kombëtares së Holandës që u dha një motiv të madh një gjenerata që mund të fitojë Kampionatin Evropian në vitin 2021, pse jo edhe Kupën e Botës.
Koeman gjithmonë është përshkruar si një trajner me personalitet të mrekullueshëm. Është një njeri që merr vendime pa u trembur dhe nuk e ka problem nëse e kritikojnë në aventurën e tij te Barcelona.
Ai është i dashuruar marrëzisht në Barcelonën, pasi ka kohë që ka blerë shtëpi. Atij i pëlqen shumë ushqimi i shëndetshëm dhe konsumimi i verës, po ashtu edhe sporti i golfit, ku shpesh është parë duke e praktikuar.
Së fundmi ka zhvilluar edhe postin e çiklizmit si njëri ndër preferencat e tij, mirëpo u ndalua në fillim të ktij viti shkaku i një sulmi në zemër që tashmë është rikuperuar. /Telegrafi/