Më 23 shtator, Romy Schneider do të kishte mbushur 80 vite. Jeta e aktores u shënjua nga dallgëzime të forta, ngjitje në maja e pastaj rënie tragjike në jetën private…
Romy Schneider ndërroi jetë shumë e re, 43 vjeçe, me gjasë nga infarkti i shkaktuar nga ilaçet e shumta dhe alkooli. Miku i saj e gjeti aktoren e njohur në mëngjesin e 29 majit 1982 në tavolinën e shkrimit të banesës së përbashkët në Paris.
Shumë vetë thanë atëherë se asaj “i plasi zemra”, duke pasur parasysh goditjet e rënda të fatit dhe ndjekjen hap pas hapi që i bënte shtypi. Por, Romy Schneider e shijoi edhe suksesin e madh. Njëherë ajo ka thënë për veten: “Njerëzve u pëlqeu, publikut i pëlqeu, edhe mua më pëlqeu, kam qenë me fat, isha princesha para kamerës, isha vazhdimisht princeshë!”
Lindi në Vjenë më 23 Shtator 1938. Ajo e kërkoi skenën duke luajtur në krah të nënës së saj Magda Schneider. Karriera e aktores shënoi ngjitje me filmin sentimental “Sissi”, ku luajti rolin e Elisabeth von Bayernin, që u bë më vonë perandoresha austriake e njohur si Sissi.
Ishte ylli i ëmbël i kinemasë gjermane të pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo u bë e famshme dhe e shijoi famën, derisa ajo e bëri të vuante duke e bërë të largohej në Francë.
“Doja të largohesha nga një ‘botë e vogël’”, ka thënë ajo, pasi në Francë iu duk se do të kishte mundësi për një jetë të re.
Edhe në Francë e edhe SHBA, për një kohë të caktuar u bë yll kinemaje. Filmat e saj me regjisorët si Luchino Visconti, Claude Sautet, Claude Chabrol apo Orson Welles e kthyen në një aktore të profilizuar që di të mishërojë karaktere të ndryshme.
Por, jetën private nuk e kishte të lehtë. Lidhjet e dashurisë dështonin, mediat e ndiqnin si gjah jetën e saj private. Por, më rëndë ajo u godit nga vdekja aksidentale e djalit 14-vjeçar në korrik 1982, nga e nuk e mori më veten.
Rreth 60 filma xhiroi aktorja që njihte sipas fjalëve të saj vetëm “gëzim qiellor” dhe “trishtim deri në vdekje”. Jehona e Romy Schneiderit nuk u shua edhe pas vdekjes së hershme, duke e kthyer atë në një figurë mitike të kinemasë. /DW/