Skuadra nga kryeqyteti italian, Roma ka shënuar fitoren e katërt në Serie A.
‘Giallorosët’ triumfuan pa problem përballë Udineses me rezultat të pastër 3-1.
Skuadra e Eusebio Di Francescos e filloi furishëm ndeshjen dhe vetëm pas 12 minutave lojë shënoi golin e parë.
Ishte sulmuesi boshnjak, Edin Dzeko që pranoi një top nga Radja Nainggolan dhe shënoi për 1-0.
Pasi kishin kaluar gjysmë ore lojë, Roma ngriti epërsinë në 2-0.
Autori i golit të parë, Edin Dzeko kësaj radhe asistoi për Stephan El Shaarawyn i cili dyfishoi epërsinë.
Por me kaq Roma nuk u ndal, pasi pa shkuar në pushim realizoi edhe golin e tretë.
El Shaarawy shfrytëzoi një gabim të mbrojtësit Widmer dhe nga afërsia shënoi për 3-0.
Në pjesën e dytë Roma kishte mundësi të shënonte edhe golin e katërt, por Diego Perotti dështoi nga penalltia.
Golin e vetëm në këtë takim për mysafirët e shënoi mbrojtësi Jens Larsen në minutën e fundit të ndeshjes.
Mesfushori nga Kosova, Valon Behrami pati një paraqitje solide dhe qëndroi në fushë gjatë 90 minutave.
Pas kësaj fitore, Roma ndodhet në pozitën e katërt me 12 pikë të tubuara pas pesë javëve pasi ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndërkohë javën e radhës, kryeqytetasit do ta zhvillojnë derbin e javës përballë Milanit në ‘San Siro’. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=B3iN8YaOJZU
https://www.youtube.com/watch?v=UvrlDqtf0N0