Site icon Telegrafi

Roma synon transferimin e një mesfushorit nga Bayerni në janar

(Foto: Twitter/AS Roma)

Roma është duke menduar ta përforcojë mesfushën gjatë afatit kalimtar të janarit.

Trajneri Jose Mourinho ka kërkuar përforcime nga klubi pasi nuk është i kënaqur me fondin aktual.

Giallorosët përforcimin e madh për mesfushën synojnë ta marrin nga Bundesliga, pasi kanë në listë dy yjet e Bayern Munichut.

Mesfushori spanjoll Marc Roca dhe ai francez, Corentin Tolisso janë në listën e Romës.

Të dy futbollistët kanë pasur shumë pak hapësira këtë edicion nga trajneri Julian Nagelsmann dhe janë gati për tu larguar.

Si Roca ashtu edhe Tolisso pëlqehen shumë nga Jose Mourinho i cili synon ta ketë njërin nga ta nën urdhrat e tij që nga muaji janar.

Për spanjollin Roca, Bayerni është i gatshëm ta lë të lirë nëse vije një ofertë rreth 10 milionë euro.

Në anën tjetër, Tolisso i cili është futur në vitin e fundit të kontratës me bavarezët mund të largohet në janar për një shumë prej pesë milionë eurove.

Gjithsesi përveç repartit të mesfushës, Mourinho synon që të përforcohet edhe në mbrojtje. /Telegrafi/

Exit mobile version