Site icon Telegrafi

Roma – Sassuolo, do të jetë ndeshje speciale për ‘Special One’

Roma do të jetë nikoqire e Sassuolos në ndeshjen që do të zhvillohet të dielën mbrëma në Olimpico.

Është ndeshje e zakonshme kampionale në Itali, por jo edhe për Jose Mourinhon, pasi është një ndeshje speciale për të.

Jose Mourinho do ta udhëheq Romën në ndeshjen e tij të 1000 si trajner i parë.

Karriera e Mourinhos si trajner i ekipit të parë filloi në vitin 2000, kur udhëhoqi për 10 ndeshje Benfican. Ai vazhdoi tutje në vitin 2001 te Leiria në Portugali, ku këtë skuadër e udhëhoqi për 23 ndeshje.

Kulmi i famës për Special One erdhi në vitin 2002 kur mori Porton dhe i udhëhoqi në 126 ndeshje, pastaj te Chelsea në 184 takime të tjera në periudhën 2004-2007.

Pas Chelseat, Mourinho shkoi te Interi ku drejtoi këtë skuadër në 108 ndeshje, derisa te Real Madridi qëndroi për tri vite në 178 ndeshje zyrtare.

Special One u rikthye përsëri në Londër për ta udhëhequr Chelsean në 136 sfida, pastaj te Manchester United në 144 të tjera.

Aventura e fundit e Mourinhos para Romës ishte te Tottenham Hotspur ku drejtoi këtë skuadër në 86 ndeshje, derisa tani me Romën ka katër ndeshje zyrtare.

Ndeshja ndaj Sassuolos për Mourinhon do të jetë e 1000 në karrierë si trajner, një arritje jashtëzakonisht e madhe. /Telegrafi/

Exit mobile version