Telegrafi

Roma rikthehet dy herë nga disavantazhi për ta mposhtur Genoan

Justin Kluivert, Roma, Genoa (Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Me rezultat 3-2, Roma ka fituar ndaj Genoas në Stadio Olimpico në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të në Serie A.

Skuadra mysafire e nisi më mirë sfidën duke shënuar e para me anë të Krzysztof Piatek (17′), i cili shfrytëzoi një gabim të portierit Robin Olsen.

Krzysztof Piatek e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes (Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Vendasit reaguan për ta barazuar rezultatin me golin e Federico Fazio (31′), mirëpo vizitorët e rikthyen sërish epërsinë përmes Oscar Hiljemark (33′).

Porse në fund të pjesës së parë (45′), Justin Kluivert i barazoi sërish shifrat dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë.

Në gjysmën e dytë, Giallorossët e përmbysën rezultatin me golin e Bryan Cristante (59′) që u asistua nga Kluivert dhe kaluan për herë të parë në epërsi në këtë ndeshje.

Justin Kluivert e barazoi rezultatin për të dytën herë dhe dhuroi një asistim (Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Në minutat e mbetura, mysafirët tentuan t’i barazonin shifrat, mirëpo nuk ia dolën dhe e humbën këtë sfidë.

Pas kësaj fitoreje, Roma pozicionohet në vend të gjashtë në tabelë me 24 pikë, ndërsa vendi i katërt (që mbahet nga Milani me një ndeshje më pak të zhvilluar) është dy pikë larg. Nga ana tjetër, Genoa është e 14-ta në renditje me 16 pikë të arkëtuara pas 16 javësh.

Në xhiron e radhës, Roma luan si mysafir i Juventusit, kurse Genoa është nikoqir i Atalantas. /Telegrafi/