Telegrafi

Roma premton investime në tokën shqiptare

Disa vite më parë, Bashkimi Evropian i vendosi një objektiv ambicioz vetes: Brenda vitit 2020, 20 për qind e energjisë së konsumuar, duhet të jetë me burim të rinovueshëm si era, dielli apo uji. Të gjitha vendet anëtare duhet të investojnë për të plotësuar kuotën përkatëse.

Sipas rregullave të vetëimponuara, në rast se një vend i BE-së nuk plotëson kuotën e vet, atëherë do të mund ta importojë diferencën nga një vend që e ka tejkaluar kuotën. Italia, si zakonisht në këto lloj punësh, rezulton e paaftë të plotësojë kuotën e vet.

Në vitin 2020, Italia do të jetë në gjendje të prodhojë vetëm gjysmën e asaj që ka premtuar, ose një sasi të barabartë me 1.2 milionë tonë ekuivalent nafte. Pjesën tjetër do të duhet ta importojë, por ka gjetur një mënyrë të ndryshme. “Një pjesë e madhe e energjisë së rinovueshme të importuar do të vijë nga Shqipëria e vende të tjera”, raportojnë mediet italiane.

Vetëm se Italia nuk do të pësojë humbje nga importe të tilla, për shkak se kompanitë që do të prodhojnë energji të pastër në Shqipëri, janë të gjitha italiane. “Nga Shqipëria do të importohen 3 miliardë kilovatorë energji elektrike e rinovueshme në vit”, shpjeguan zyrtarët italianë në Bruksel. Këto tre miliardë parashikohet të prodhohen nga centralet e energjisë së erës në gjashtë projekte të ndryshme sakaq të miratuara në Shqipëri, por që asnjëri prej tyre nuk ka nisur ende punën.