Roma ka pësuar humbje në ndeshjen e parë çerekfinale nga Feyenoordi në Roterdam me rezultat minimal 1-0.
Gjiganti italian do të synoj përmbysjen pas një jave në Olimpico, stadium që gjithmonë është i mbushur dhe i jep një shtytje Romës drejt fitoreve.
Por në këtë sfidë Roma humbi dy yjet e skuadrës Paulo Dybala dhe Tammy Abraham që u lënduan dhe u detyruan të largohen nga loja.
“Nuk kam asnjë lajm për Dybalan dhe Abrahamin, vetëm atë që pashë në fushë. Ata më kërkuan menjëherë zëvendësimin e me shumë mundësi nuk do t’i kem në ndeshjen e kthimit”.
“Zëvendësimi i Pellegrinit nuk ka të bëjë me gabimin nga pika e bardhë, por e vendosa unë”, tha Mourinho i cili foli edhe për realizimin e pak golave këtë edicion nga sulmuesit e Romës.
Special One ka dhënë një deklaratë epike se nuk e ka në skuadër Erling Haalandin që të shënojnë shumë gola.
“Fatkeqësisht nuk e kam në skuadër një Erling Haaland. Ne jemi ata që jemi dhe bëjmë gjithmonë më të mirën. Roma luajti një lojë me dinjitet e sakrifica dhe patëm mundësi të merrnim një rezultat ndryshe, por humbëm 1-0”, deklaroi Mourinho.
Mourinho është i shqetësuar edhe për lëndimet e shumta dhe sfidën e radhës ku të dielën përballen me Udinesen, teksa pas një jave me Feyenoordin në Olimpico.
“Të dielën kemi një ndeshje tjetër të vështirë, pastaj sfida e kthimit të enjten. Ne nuk kemi një skuadër që mund të bëjë rotacion, ne jemi ata që jemi”.
“Por ‘Olimpico’ është gjithmonë atje, tifozët nuk gabojnë kurrë. Jam optimist, por jam i shqetësuar edhe për të dielën sepse do të kem edhe më pak opsione. Merituam më shumë me Feyenoord, por ky është futbolli”, u shpreh Mourinho. /Telegrafi/