Telegrafi

Roma me ofertë të re për Smalling

Chris Smalling (Foto: Gabriele Maltinti/Getty Images/Guliver)

Roma thuhet se ka bërë një ofertë të re për Chris Smalling të Manchester Unitedit, duke ofruar 15 milionë euro për nënshkrimin e përhershëm të tij.

Smalling do të kthehet te Unitedi pasi të përfundojë Seria A, pasi Roma e mori atë vetëm si huazim të thjeshtë në fillim të sezonit dhe Djajtë e Kuq refuzojnë të zgjasin huazimin edhe për ndeshjet e Ligës së Evropës.

Tani, gazetari i njohur Nicolo Schira pretendon se këshilltari i klubit, Franco Baldini i është afruar gjigandëve anglez me një ofertë të re për të mbajtur mbrojtësin në Olimpico.

Do të ishte një huazim prej tre milionë eurosh me mundësi blerje të detyrueshme për 15 milionë verën e ardhshme, ndërsa një kontratë katër vjeçare thuhet se është gati për anglezin.

Sidoqoftë, mbetet për tu parë nëse propozimi e kënaq Unitedin, duke pasur parasysh se ata po kërkojnë 25 milionë euro për shitjen e tij.

31-vjeçari ka luajtur 32 herë për Giallorossët këtë sezon, duke shënuar dy gola.

Sidoqoftë, ai aktualisht është jashtë me një lëndim në kofshë dhe nuk pritet të kthehet për të paktën edhe një javë. /Telegrafi/