Telegrafi

Roma nuk do të jetë qyteti mikpritës i “Eurovision 2022”

Foto: Andres Putting

Kryeqyteti italian nuk ka arritur të hyjë në listën e ngushtë të mikpritësve të Eurovision 2022.

Roma nuk është përfshirë në listën e ngushtë të pesë qyteteve italiane që konkurrojnë për të mirëpritur festivalin Eurovision vitin e ardhshëm, njoftuan sot organizatorët, shkruan Wanted in Rome.

Në listën e ngushtë përfshihen Milano, Bolonja, Rimini, Pesaro dhe Torino, të cilët po konkurrojnë për t’u zgjedhur si qyteti pritës për edicionin e 66-të të Eurovisionit vitin e ardhshëm.

Foto: Andres Putting

Festivali po mbahet në Itali për herë të parë në tri dekada pasi grupi i Romës, Maneskin fitoi fituan edicionin e sivjetmë në maj me këngën “Zitti e buoni”.

Brenda disa orësh nga triumfi i grupit, disa qytete italiane u paraqitën si kandidatë të përshtatshëm, me kryebashkiakun e Romës, Virginia Raggi, i cili e lavdëronte kryeqytetin si “skenë perfekte për të rifilluar sfidën”.

Sidoqoftë, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) dhe transmetuesi shtetëror italian RAI padyshim që nuk pajtohen, që do të thotë se grupi Maneskin nuk do të ketë nderin të performojë në qytetin e tyre.

Nuk dihet ende pse Roma nuk arriti të hyjë në listën e ngushtë, megjithatë qytetet kandidate pritet të plotësojnë një sërë kërkesash të përcaktuara qartë.

Foto: Peter Dejong

Këto përfshijnë të kesh një aeroport ndërkombëtar jo më larg se 90 minuta nga qyteti dhe më shumë se 2,000 dhoma hoteli në afërsi të vendit, të cilat duhet të jenë të mbuluara, të pajisura me ajër të kondicionuar dhe salla të kenë një kapacitet prej minimum 8,000 – 10,000 spektatorësh.

Gjithsej 11 qytete dhe stadiume nisën oferta zyrtare, përfshirë Romën, me fituesin që pritet të shpallet nga kanali shtetëror RAI brenda ditëve të ardhshme.

Milani dhe Torino konsiderohen si favoritët në garë, bazuar në kërkesat e Eurovisionit, si dhe praninë e studios televizive RAI në të dy qytetet.

Edicioni i vitit 1991 i Eurovisionit u mbajt në Cinecitta Film Studios të Romës, ndërsa e vetmja herë tjetër që Italia priti festivalin, pasi Gigliola Cinquetti fitoi në vitin 1964, ishte në Centro RAI në Napoli.

Torino ishte identifikuar tashmë si një vend i mundshëm i Eurovisionit në vitin 2017 nga RAI përpara hyrjes së Italisë atë vit, por Francesco Gabbani nuk arriti ta fitonte festivalin atë vit.

Milani gjithashtu shihet si një kandidat i fortë, duke pasur parasysh përvojën e tij në mikpritjen e organizimit të panairit Expo në vitin 2015.

Fituesi duhet të dihet deri në fund të gushtit ose në ditët e para të shtatorit. /Telegrafi/