Telegrafi

Roma i kthehet fitores, triumfon në udhëtim te Fiorentina

Roma ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Fiorentina me rezultat 1-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Serie A.

Giallorossët kanë arritur t’i kthehen fitores, duke e marrë tri pikë shumë të vlefshme në Artemio Franchi.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, të cilët më shumë ruheshin nga njëra-tjera.

Megjithatë, rastet e mira munguan dhe ekipet u desh të shkonin në pushim me rezultat të bardhë 0-0.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e hapur nga të dyja skuadrat, me Romën për një nuancë më të mirë, duke shënuar dy gola, kundrejt një të vendasve.

Të parët në epërsi kaluan Roma duke shënuar me anë të Leonardo Spinazzola (49’) për 0-1, ndërsa Viola barazuan po ashtu me autogolin e Spinnazola (60’) për 1-1.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej në skenë doli Amadou Diawara (90’), i cili shënoi për 1-2 dhe ia siguroi një fitore të madhe Romës.

Pas kësaj fitore, Roma e sheh veten në pozitën e pestë me 45 pikë, ndërsa Fiorentina renditet e 14-ta me 26 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Giallorossët e presin Genona, ndërsa Viola e pret Parman. /Telegrafi/