Telegrafi

Roma dhe Valencia fillojnë bisedimet për një shkëmbim të madh, Guedes pritet t’i bashkohet Giallorosëve

Roma dhe Valencia janë duke diskutuar një shkëmbim shumë të bujshëm në verë.

Për momentin dy skuadrat e njohura janë në bisedime për mesfushorin Amadaou Diawara të cilin spanjollët po e kërkojnë si huazim.

Gjatë bisedimeve për Diawaran, drejtuesit e dy skuadrave kanë hapur bisedime të reja, për një shkëmbim të madh i cili pritet të ndodhë në verë.

‘Lakuriqët’ janë interesuar për sulmuesin anësorë të Romës, Carles Perez, derisa kundërpërgjigja e Giallorosëve ka qenë se duan Gonçalo Guedes.

Mediat e ndryshme të afërta me Romën kanë raportuar se gjatë janarit nuk ka gjasa që të ndodhë ky shkëmbim, por gjatë muajve të ardhshme dy skuadrat do t’i vazhdojnë bisedimet që në verë të zyrtarizohet ky shkëmbim.

Natyrisht që nuk do të jetë shkëmbim kokë më kokë, pasi Roma do të jetë ajo skuadër që do të shtojë edhe ca miliona euro.

Besohet se përveç shërbimeve të Carles Perez, Giallorosët do të duhen t’i shtojnë edhe një shumë rreth 20 milionë euro për ta marrë sulmuesin portugez në Olimpico.

Guedes është nën menaxhimin e Jorge Mendes, një agjent shumë i afër me Mourinhon dhe drejtorin sportiv të Romës, Thiago Pinto. /Telegrafi/