Rolls-Royce ka pasur një shitje rekord prej 5,586 makinash vitin e kaluar, pasi siç vlerësohet “pandemia i bëri super të pasurit të kuptojnë se ‘jeta mund të jetë e shkurtër’”.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, marka luksoze, makinat e së cilës kanë çmime kryesisht të larta, shiti më së shumti automjete globalisht në historinë e saj 117-vjeçare.
Shefi ekzekutiv Torsten Muller-Otvos tha: “Shumë njerëz dëshmuan se njerëzit në komunitetin e tyre vdisnin nga Covid-19 dhe kjo i bëri ata të mendojnë se jeta mund të jetë e shkurtër dhe më mirë të jetoni tani sesa ta shtyni për një datë të mëvonshme”.
“Kjo gjithashtu ka ndihmuar shumë për të [inkurajuar njerëzit të] investojnë në ato që unë do t’i quaja gjërat e bukura në botë”.
Dhe kompania me bazë në Sussex, në pronësi të BMW, pa rritje të shitjeve në çdo rajon të botës.
Gjermani Muller-Otvos shpjegoi: “Është më shumë për shkak të Covid-it që i gjithë biznesi i luksit po lulëzon në mbarë botën”.
“Njerëzit nuk mund të udhëtonin shumë, ata nuk mund të investonin shumë në shërbime luksoze…dhe ka shumë para të grumbulluara që shpenzohen për mallra luksoze”.
Kështu, shumë blerës po shtonin në koleksionet e tyre ekzistuese të Rolls-Royce – pasi shumica e pronarëve kanë më shumë se një.
Firma tha se ka shijuar ‘një vit fenomenal’ me kërkesa të larta për të gjitha modelet, veçanërisht limuzinën Ghost dhe Cullinan SUV, duke raportuar rekorde të të gjitha kohërave në shumicën e rajoneve të shitjeve, duke përfshirë Kinën, Amerikën dhe Azi-Paqësorin, dhe në shumë vende nëpër botë. /Telegrafi/