Në muajin korrik të vitit të kaluar, Rolls-Royce njoftoi se zhvillimi i modelit të parë elektrik të kompanisë kishte arritur në 40 për qind dhe tani është koha që më në fund të shohim produktin e përfunduar, veturën luksoze me të cilën marka e famshme fillon epokën e saj tërësisht elektrike.
Përparimet në teknologjinë e veturave elektrike kanë lejuar Rolls-Royce të adoptojë një sistem elektrik për Spectre pasi më në fund ekziston një standard që mund të “ofrojë përvojën legjendare të Rolls-Royce” dhe madje ta përmirësojë atë.
Misioni i kompanisë është të bëhet një prodhues tërësisht elektrik deri në fund të dekadës, funksionimi i qetë dhe “ndjesia e shpejtësisë së padukshme” mendohet se përputhen në mënyrë të përkryer me virtytet e kultivuara nga Rolls-Royce.
Kompania thotë se Spectre ka krijuar një segment krejtësisht të ri automobilistik që ata e quajnë “segmenti super-kupe elektrike ultra-luksoze”. Në fakt, automjeti premium elektrik do të pozicionohet si pasardhësi shpirtëror i Phantom Coupe në gamë dhe do të marrë efektivisht rolin e tij.
Për sa i përket dizajnit, Spectre nuk duket në mënyrë dramatike ndryshe nga modelet e tjera RR, por ka grilën e përparme më të gjerë të montuar ndonjëherë në një veturë Rolls të fabrikës.
Ndizet butësisht nga 22 LED, dhe sipër saj është një figurinë e optimizuar në mënyrë aerodinamike Spirit of Ecstasy. Duke folur për aerodinamikën, Spectre është modeli më aerodinamik i Rolls në histori me një koeficient tërheqjeje prej 0.25.
Brendësia e Spectre është kabina më e avancuar teknologjikisht e gjetur ndonjëherë në një model RR. Si opsion, veçohet funksioni Starlight Doors, i cili përfshin 4796 pika të ndriçuara në brendësi, pa llogaritur tavanin. Për më tepër, Spectre mori vende krejtësisht të reja të frymëzuara nga prerja britanike.
Modeli elektrik bazohet në platformën Architecture of Luxury, dhe specifikat përfundimtare të tij ende nuk janë shpallur.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se ai jep 577 hp dhe 900 Nm çift rrotullues të menjëhershëm, ndërsa distanca sipas ciklit EPA është 418 km me një karikim të vetëm. /Telegrafi/