Site icon Telegrafi

Rolling Stones zhvillojnë turneun e parë evropian pa bateristin e ndjerë Charlie Watts

(Foto: Variety)

Legjendat britanike të rokut, “The Rolling Stones” kanë nisur turneun e tyre evropian duke festuar gjashtë dekada të ekzistencës, me një performancë në Madrid.

Turneu “Sixty” do të përfshijë 14 koncerte në Evropë dhe i pari u mbajt në stadiumin Wanda Metropolitano, shtëpia e klubit të futbollit Atletico Madrid.

Turneu i fundit i grupit “No Filter” filloi në vitin 2017, por koncertet e Amerikës Veriore u shtynë për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Pas një vonese të gjatë, ata rifilluan turneun në fund të vitit të kaluar dhe e përfunduan me një milion bileta të shitura, megjithëse u mungon bateristi Charlie Watts, i cili vdiq në gusht në moshën 80 vjeçare.

 

“Ky është turneu ynë i parë evropian pa Charlie, na mungon aq shumë”, ka thënë Jagger në spanjisht përpara se të interpretonin këngën “Now, Now, Now”, transmeton KP.

Lexo po ashtu Vdes bateristi i Rolling Stones, Charlie Watts

Mick Jagger (78 vjeçar), Keith Richards (78 vjeçar) dhe Ronnie Wood (75 vjeçar), mbërritën në kryeqytetin spanjoll javën e kaluar.

Rokerët do të bëjnë turne në dhjetëra qytete evropiane dhe do të performojnë dy herë në Londër. Koncerti i radhës është në Munih dhe më pas ata shkojnë në Liverpul në stadiumin e futbollit Anfield, që do të jetë performanca e tyre e parë pas më shumë se 50 vitesh në vendlindjen e “The Beatles”.

Grupi do të performojë gjithashtu në Amsterdam, Bernë, Milano, Londër, Bruksel, Vjenë, Lion, Paris, Gelsenkirchen, ndërsa finalja do të jetë në Stokholm më 31 korrik.

Përveç festimit të 60-vjetorit të krijimit, “The Rolling Stones” po festojnë 50 vjet nga publikimi i një prej albumeve të tyre më të famshëm, “Exile on Main St”.

Exit mobile version