Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka debatuar ashpër me analistin Imer Mushkolaj.
Mushkolaj, në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka akuzuar Aliun se opozita nuk po bashkëpunon mes veti dhe se ende po vazhdon të mbajë inatet e vjetra.
“Ju zgjidhni në fillim problemet brenda opozitës. Leni inatet e së kaluarës. Neve nuk na interesojnë inatet e brendshme që keni mes jush. Neve na intereson funksionimi i opozitës si një trup i përbashkët”, deklaroi Mushkolaj.
Ndërsa, Aliu ka thënë se opozita nuk mund të bëjë asgjë për rrëzimin e qeverisë, sepse mungojnë numrat.
“Pajtimi ynë (opozitës) nuk e zgjidh problemin. Pastaj ato janë probleme të brendshme të opozitës dhe ne duam të merremi me qeverisjen e keqe të vendit”, replikoi deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu.
Analisti Mushkolaj i është drejtuar më tej Aliut se opozita nuk po e bën detyrën e vet.
“Për çfarë jeni ju aty, ju nuk po e kryeni detyrën si opozitë. Ju nuk po e ndalni Hashimin”.
Deputeti opozitar ka reaguar duke thënë se Thaçin e kanë ndalur njerëzit në rrugë dhe atë nuk e përkrah as subjekti politik, të cilit i ka takuar.
“Ne po e bëjmë punën tonë si opozitë. Ne e kemi ndalë Hashim. Ata njerëzit në rrugë arritën të ndalin Hashimin”, tha Liburn Aliu.
Aliu tha më tej se opozita nuk do të merret me problemet e saj të brendshme, por të ballafaqohet me Hashimin.
“Çka po të vyejnë ty problemet tona të brendshme. Ne s’po duam të merremi me to në këtë moment”, tha ai.
Ndërsa, Mushkolaj e akuzoi sërish Aliun për mos plotësim të detyrës opozitare.
“Ju nuk po bëni asgjë, po paguheni ma paratë tona e s’po bëni detyrën”, i reagoi Mushkalaj, Liburn Aliut./Telegrafi/