Gjatë kongresit të 20-të ndërkombëtar mbi të ushqyerit të mbajtur në Granada, prof. dr. Carmen Gómez – Candela dhe Samara Palma folën rreth asaj se si sheqeri shpesh paraqitet si fajtor për "sëmundje" të shumta dhe, edhe pse nuk ka asnjë mbështetje shkencore lidhur me këtë fakt, në të besojnë edhe shumë njerëz në komunitetin mjekësor dhe shkencor, gjë që e sjell në dyshime edhe opinionin e gjerë.
Është dëshmuar një ndërlidhje e fortë në mes të konsumimit të tepruar të yndyrave dhe rrezikut të rritur nga mbipesha dhe/apo trashja, por lidhja midis konsumimit të sheqernave të pranishme në mënyrë të natyrshme apo të shtuar në ushqime dhe trashjes nuk është aq e qartë.
Diabeti është edhe një sëmundje e cila përmendet shpesh në diskutimet për sheqerin dhe shëndetin. Rekomandimet e nutricionistëve, të bazuara në dëshmitë për shërimin dhe parandalimin e diabetit, e konsiderojnë sasinë e përgjithshme të karbohidrateve të shtuar më të rëndësishme se sa sasinë e llojeve të caktuara të karbohidrateve të konsumuara.
Sot, diabetikët mund të konsumojnë saharozë (sheqer) dhe ushqime që e përmbajnë atë, me kusht që ky konsumim i sheqerit të jetë pjesë e sasisë totale të karbohidrateve në kuadër të dietës së shëndetshme dhe kontrollit adekuat shëndetësor, transmeton Koha.net. Ende nuk është zbuluar ndonjë lidhje shkakore midis konsumit të sheqerit dhe diabetit.
Ne duhet ta pranojmë faktin që asnjë ushqim individual nuk është "fajtor" – nuk ka ushqime të mira dhe të këqija, por dietë të përshtatshme dhe të papërshtatshme.
Prandaj, këshilla më e mirë e përgjithshme është e fokusuar në rekomandimin e një diete të larmishme, të ekuilibruar, me ushqime dhe substanca ushqyese nga burime të ndryshme, e kombinuar me shumë ushtrime. /Telegrafi/