Site icon Telegrafi

Roli i partive politike në demokracinë parlamentare

Sistemet Parlamentare të rregullimit shtetëror karakterizohen me rolin dominues të legjislativit, në krahasim me pjesët tjera të pushtetit i cili në demokracinë përfaqësuese paraqet organin reprezentativ popullor. Është organi i vetëm shtetëror që legjitimohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli, përmes zgjedhjeve të cilat janë mekanizëm i ushtrimit të vullnetit nga sovrani.

Në procesin e ndërtimit të këtij institucioni, partitë politike paraqesin urën lidhëse në mes tij dhe shoqërisë (popullit).

Në institucionet tona akademike, literatura njeh vetëm definiconet sociologjike të partive politike, në bazë të të cilit ato paraqesin grupe shoqërore qëllimi final i të cilave është marrja e pushtetit dhe realizimi i pikëpamjeve (interesave) të grupit shoqëror që përfaqësojnë. Në këtë mënyrë kufizohemi vetëm në definimin e jashtëm të tyre.

Mungesa e literaturës adekuate në fakultetet juridike dhe të shkencave politike ka pamundësuar një masë të madhe të studiuesve të kësaj lëmie që të thellohen në hulumtimin e detajuar të tyre, me theks në hulumtimin formës së implementimit të parimeve kushtetuese brenda për brenda strukturave të saj.

Për dallim, definicioni juridik i paraqet ato si grupe shoqërore të cilat kanë për qëllim ushtrimin e ndikimit në organet shtetërore, duke përfaqësuar pjesën e popullsisë e cila i ka legjitimuar ato. Në këtë kontekst ato paraqiten si hallka kryesore në zinxhirin e legjitimitetit popullor të ndërtimit të institucioneve kushtetuese të Republikës. Po të studiohej aktiviteti i tyre i brendshëm duke i krahasuar apo paraqitur si një ministrukturë të shtetit, secili do të kishte një pasqyrë paraprake se si do të dukej shteti nën udhëheqjen e kësaj partie.

Kjo pasi partitë politike obligohen të kenë brendapërbrenda vetes parimet kushtetuese të organizimit shtetëror. Parimi i demokracisë kushtetuese në bazë të të cilit në instancë të parë dhe të fundit fjalën kryesore e ka masa e gjerë e anëtarëve (ngjashëm sikur populli në raport me shtetin), zgjedhjet e organeve të saj do të duhej t’i nënshtroheshin një procesi demokratik. Kjo është e kundërta e asaj që shohim tek ne, ku kryetari i partisë nuk zgjidhet, anëtarët detyrohen ta votojnë atë e anëtarëve u jepet lista e delegatëve para fillimit të procesit të votimit – nga të fuqishmit brenda partisë. Ky fenomen që nuk do të duhej të na habit, pasi në këtë formë e kemi zgjedhur presidenten e vendit.

Ky është një argument për të dëshmuar se të zgjedhurit e popullit nuk përfaqësojnë ata, por janë instrumente në shërbim të interesave të kryetarit të partisë, i cili i shfrytëzon ata për të plotësuar një formalitet të paraparë me aktet juridike në fuqi. Ndërsa, është edhe një tregues me rëndësi se njerëzit në Kosovë u bashkohen partive politike për të realizuar interesat personale dhe jo për të qenë përkrahës të një kauze të caktuar.

Në përputhje me parimin e lartpërmendur do të duhej të sigurohej e drejta e opozitës (mendimit ndryshe) për çështje të caktuara dhe mundësia për të promovuar ato pikëpamje edhe tek anëtarët e tjerë (ndalimi i diskriminimit të anëtarëve në baza gjinore, racore, fetare apo etnike). Por, mbi të gjitha e drejta e anëtarësisë së gjerë që të kërkojnë llogari nga të zgjedhurit e tyre në krye të organeve drejtuese të partisë dhe në instancë të fundit llogaridhënia në rast se ata kanë ushtruar funksione të caktuara në organet e pushtetit shtetëror.

Partitë politike do të duhej të shërbenin si grupe të organizuara qytetare të cilat do të ndikonin në drejtimin e shtetit, në implementimin e programit zgjedhor në bazë të zotimit (kontratës zgjedhore) në raport me qytetarin afër të cilit do të duhej të ishin vazhdimisht dhe jo vetëm gjatë fushatës parazgjedhore. Por, në të njëjtën kohë nuk do të duhej të na mungonte guximi secilit prej nesh që të shfrytëzojmë të drejtat të cilat lindin nga kontrata zgjedhore dhe në fakt krijojnë detyrime të përfaqësuesve tonë ndaj nesh.

Mungesa e mekanizmave kushtetues për të kontrolluar dhe sanksionuar veprimtarinë e partive politike në rast se ato shkelin parimet kushtetuese në organizimin e tyre të brendshëm – veprim që do të mund të rrezikonte sistemin kushtetues të Republikës – kanë ndikuar që organizimi i partive politike në Kosovë të jetë larg standardeve evropiane… E, për fat të keq, këta janë ata që në vazhdimësi na flasin për vlerat evropiane dhe demokratike. Sa tragjike aq komike, pasi flasin për diçka që nuk e njohin vet.

 

Exit mobile version