Site icon Telegrafi

Roli dhe rëndësia e infermierëve në ekipin e kujdesit shëndetësor për trajtimin dhe kujdesin e pacientëve

Infermierët merren me monitorimin, mbikëqyrjen, këshillimin e pacientit dhe kujdesin. Përshkrimi i punës mund të përfshijë parandalimin, rehabilitimin, edukimin shëndetësor dhe promovimin e shëndetit

 

Shkruan: Valentina Sulejmani,
Infermiere e përgjithshme – QKUK

Infermieria është profili i vetëm i një punonjësi shëndetësor të kualifikuar për kujdes shëndetësor. Edhe pse secili ka detyrat e veta, bashkëpunimi i vazhdueshëm mes mjekëve dhe infermierëve është i domosdoshëm, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin e përbashkët – rikthimin e shëndetit.

Ekzistojnë disa lloje të ndryshme të infermierëve, gjithashtu kjo lëmi është një varietet i roleve dhe përgjegjësive. Detyrat tona variojnë në varësi të niveleve të vendit të punës, por zakonisht përfshijnë:

▪ Monitorimin e shëndetit të pacientëve dhe vlerësimi i gjendjes fizike dhe emocionale të tyre.
▪ Dhënia e ilaçeve dhe trajtimeve të nevojshme sipas kërkesave të mjekëve.
▪ Mbulimi i nevojave bazë dhe mbrojtja e pacientëve nga rreziqet dhe infeksionet.
▪ Bashkëpunimi me mjekët dhe stafin tjetër shëndetësor për të siguruar kujdesin e përshtatshëm.
▪ Menaxhimi i dokumentacionit shëndetësor dhe mbajtja e regjistrave të rëndësishëm të pacientëve.

Detyra e infermierëve është kujdesi për të sëmurët dhe të mbrojtja e njerëzve të shëndetshëm. Aktivitetet e tyre përfshijnë procedurat, njohuritë dhe aftësitë e kujdesit shëndetësor.

Virginia Henderson, një ndër themelueset e infermierisë, e përkufizoi rolin tonë si “… të ndihmojë një individ, të sëmurë ose të shëndetshëm, në kryerjen e aktiviteteve që kontribuojnë në shëndetin, shërimin (ose vdekjen paqësore), dhe të cilat ai do t’i kryente në mënyrë të pavarur nëse do të kishte forcën, vullnetin ose njohuritë e nevojshme.”

Infermierët punojnë në fushën e promovimit të shëndetit, parandalimit të sëmundjeve, trajtimit dhe rehabilitimit. Gjithashtu, ofrojnë kujdes shëndetësor sipas kërkesave të mjekëve dhe ky rol tradicional ka formuar imazhin publik të infermierëve si ofrues të kujdesit. Ne, zhvillojmë një plan kujdesi, bashkëpunojnë me mjekët, terapistët, pacientin, familjen e pacientit dhe anëtarët e tjerë të ekipit.

Me një pjekuri emocionale, qëndrueshmëri dhe arsimim adekuat, infermierët duhet të jenë në gjendje të kuptojë ndjenjat e pacientit dhe sjelljen e tij në situata të caktuara. Punët në infermieri janë të përshtatura me nevojat e veçanta të pacientëve në reparte të ndryshme, gjë që kërkon edhe dallime në punën e tyre, por të përbashkët kanë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme, motivimin dhe dashurinë për njerëzit.

Gjithashtu, infermierët dhe teknikët në njësitë e kujdesit intensiv duhet të kenë shkallë të lartë njohurish, aftësi për të reaguar shpejt në situata akute dhe të jenë të ekspozuar ndaj situatave stresuese. Kujdesi për një pacient me sëmundje kronike është një sfidë e madhe dhe shpesh afatgjate. Kërkon njohje të mirë të sfondit të gjendjes shëndetësore të pacientit dhe shkathtësi e shpejtësi në kujdesin e përditshëm.

Qasja holistike, respektimi i dinjitetit dhe të drejtave të pacientit, monitorimi i përhershëm, zbatimi i procedurave mjeko-teknike, parandalimi i komplikimeve dhe informimi në kohë i pacientit dhe familjarëve për procedurat, janë përcaktuesit kryesorë të kujdesit tonë për pacientët me sëmundje kritike.

Ne, shpesh përballemi me ofrimin e mbështetjes psikologjike për pacientët dhe familjet, gjë që ndonjëherë është vërtet e vështirë. Komunikimi është një hap kyç në krijimin e një marrëdhënie besimi me pacientin. Infermierët duhet të jenë të vetëdijshëm se pacientët mund të luftojnë me një lëndim të identitetit të tyre për shkak të sëmundjes, gjendjes së rënduar, e cila gradualisht çon në shqetësim, ankth dhe pamundësi për të funksionuar. Infermierët ndërkohë duhet të jenë dëgjues empatikë dhe aktivë me ekspertizë të mjaftueshme për të ofruar udhëzime praktike që mund të kontribuojnë në lehtësimin e sëmundjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetën e pacientit.

Përveç respektit dhe besimit të ndërsjellë, këshillimi me pacientin, kontribuon në njohjen më të mirë të simptomatologjisë dhe komplikimeve të vetë sëmundjes, gjë që inkurajon pacientët të kuptojnë më mirë gjendjen e tyre.

Çdo qëndrim në spital, pavarësisht nga ashpërsia e simptomave, shkakton vështirësi emocionale, shfaqjen e ankthit dhe depresionit dhe çdo pacient kalon nëpër të gjitha fazat e përshtatjes me sëmundjen. Kësisoj, pacienti duhet të trajtohet individualisht, me shumë durim, prandaj një infermiere duhet të jetë e ndjeshme, të ketë ndjenjën e empatisë, të ketë njohuri të mira teorike që mund të zbatohen mirë në praktikë dhe të jetë kompetente në kryerjen e punës së saj.

Bashkëpunimi ndërmjet infermierëve, poashtu, është bazë për përshpejtimin e zhvillimit të infermierisë pasi që ende ka dallime të mëdha në degë të caktuara. Siç thoshte Florence Nightingale, thelbi i infermierisë është kujdesi ndaj individit dhe jo vetëm ndaj problemeve të tij mjekësore: “Është më e rëndësishme të njohësh personin që vuan nga një sëmundje sesa sëmundja nga e cila është duke lënguar.”

Infermieria është një profesion i vështirë, është nga ato profile që kërkojnë të zotërosh disa aftësi, të mira dhe kualitative, një dije mjekësore të gjerë. Gjithashtu duhet që të jenë shumë të mira dhe të sakta në procedurat që ato realizojnë siç janë psh: injeksionet, kateteri urinar, marrja e gjakut venoz dhe arterial, transfuzioni i gjakut etj.

Ne, duhet të jemi mjaft të duruara dhe empatike, të kemi aftësi të mira në komunikim, në përcjelljen e informacionit kundrejt pacientit, familjareve dhe gjithashtu personelit mjekësor.

Infermieria është shumë e bukur, sepse ti ke mundësinë që me buzëqeshje, përzemërsi, sqarime me maturi e delikatesë, sinqeritet, t’i bësh njerëzit të ndihen mirë, ke mundësinë të shërosh pacientë. Po ashtu është shumë e rëndësishme që t’i bësh njerëzit të shpresojnë kur ato ndihen keq.

Nëse ju jeni një person që ka pasion për ndihmën ndaj të tjerëve dhe dëshironi të keni një ndikim pozitiv në shoqëri, Infermieria është një zgjedhje e shkëlqyer për ju. /Telegrafi/

Exit mobile version