Site icon Telegrafi

Roladë me perime

Përbërësit:

▪ 2 fileta viçi
▪ 2 patate
▪ 4 thela specash të pjekur
▪ 2 speca të freskët
▪ 1 kokë qepë
▪ 150 gramë kokrra misri
▪ 300 gramë domate të konservuara
▪ 2 lugë gjelle mustardë
▪ 5 lugë gjelle vaj
▪ borzilok, rigon erëza të përziera, kripë, piper

Përgatitja:

1. Filetat e viçit priten në medaljone. Tëhollohen me çekan druri dhe u hedhen erëza, kripë e piper i zi i bluar sipas shijes.

2. Patatet zihen bashkë me lëvore, e pastaj qërohen dhe priten në rriska të trasha. Rriskat e patateve rrotullohen në përzierjen e rigonit dhe borzilokut.

3. Qepa, specat dhe domatet e konservuara priten në kube.

4. Medaljonet e rrahur me çekan druri Iyhen me mustardë, në secilin prej tyre vendoset nga një thelë speci të pjekur, nga një rriskë patate dhe medaljonet mbështillen si roladë dhe përforcohen me rrëmojëse.

5. Në pak vaj fërgohen roladat e përgatitura, me qëllim që të skuqen mirë në të gjitha anët, e pastaj hiqen nga vaji dhe lihen në vend të ngrohtë.

6. Në tigan të veçantë kaurdisen qepët me pak vaj, e pastaj shtohen specat dhe edhe ata kaurdisen pakëz. Shtohen domatet e konservuara dhe kokrrat e misrit, derdhet pak ujë dhe të gjitha zihen në temperaturë mesatare, derisa të zbuten perimet.

7. Nga fundi i zierjes shtohen roladat e fërguara, u hedhen erëza, kripë e piper i zi i bluar sipas shijes dhe të gjitha zihen edhe pakëz.

Exit mobile version