Një roje sigurie i restorantit McDonald’s është shkarkuar pas një skandali që ka nxitur reagime të shumta në mediat sociale, ku ai akuzohet për sjellje të papranueshme ndaj një personi të pastrehë.
Videoja e publikuar në X nga Damon Evans, tregon momentin kur në vendin ku i pastrehu flinte, është derdhur ujë, dhe roja i sigurisë me një sjellje jo të mirë tenton ta pastrojë, përcjell Telegrafi.
Pamjet që thuhet se janë bërë të shtunën mbrëma në zonën e pasur Belgravia të Londrës, janë shpërndarë me mijëra herë dhe kanë shkaktuar reagime të forta nga publiku.
Pas reagimeve negative, McDonald’s ka shkarkuar rojën e sigurisë, dhe ka kërkuar falje për ngjarjen.
Kompania gjithashtu ka theksuar rëndësinë e trajtimit të të gjithë klientëve me respekt.
Ndryshe, Damon Evans me publikimin e videos ka nxitur diskutime rreth trajtimit të të pastrehëve.
Sipas një raporti, në rrugët e Londrës ka një rritje alarmante të numrit të njerëzve të pastrehë, duke shtuar më shumë shqetësime për situatën e kësaj kategorie të popullsisë në qytetin britanik. /Telegrafi/