Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur brengën lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për ta ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit.
“Shumë shqetësuese. Mbyllja e një prej medieve më të mëdha në Kosovës do të ishte një goditje e rëndë për lirinë e medieve”, ka shkruar Rohde, në Twitter.
Very troubling: Shutting down one of the biggest media outlets in Kosovo would be a serious blow to media freedom. https://t.co/RVTiOG58Ct
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) July 28, 2023
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat, më 28 korrik.
Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi të premten se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.
Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente, njoftoi MINT të premten.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AKG) është shprehur i “alarmuar” me vendimin e Komisionit të Ankesave për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke e cilësuar atë si të “motivuar politikisht” nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.
“AGK-ja beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhet në një reagim të asociacionit.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës së Gazetarëve Evropianë (FGE), Ricardo Gutierrez, i cili shkroi në Twitter se Kosovën e kanë mbuluar “ditë të zeza të censurës shtetërore”, dhe se Qeveria më në fund “korri sukses në mbylljen” e Klan Kosovës.
“Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në liberalizmin më konservator, duke i përbuzur plotësisht vlerat e BE-së”, shkroi Gutierrez. /Telegrafi/