Presidenti iranian, Hassan Rohani ka biseduar në telefon me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, të cilin e ka lavdëruar për rikthimin e stabilitetit në Turqi.
“Ne jemi të lumtur që kemi parë rikthimin e stabilitetit në shtetin mik të Turqisë”, është cituar të ketë thënë Rohani nga agjencia zyrtare e lajmeve, IRNA. “Paqja dhe stabiliteti në Turqi do të çojë drejt përmirësimit të paqes dhe sigurisë në tërë rajonin”.
Rohani ka thënë se Teherani ka vëzhguar me kujdes zhvillimet në Turqinë fqinje prejse Erdogani e ka shtypur përpjekjen për grusht shtet.
Lideri iranian e ka përshkruar grusht shtetin si “një test për zbulimin e armiqve dhe miqve brenda dhe jashtë vendit”.
Ai ka shtuar se Irani ka “qëndruar pranë dhe do të qëndrojë pranë qeverisë së popullit të Turqisë”, transmeton Evropa e Lirë.
IRNA e ka cituar Erdoganin duke thënë se “situata është duke u kthyer në normalitet, por është ende herët të thuhet se gjithçka ka përfunduar”.