Sulmuesi i Real Madridit, Rodrygo, ka dhënë një përditësim në lidhje me të ardhmen e tij pasi braziliani ishte lidhur me një transferim të mundshëm tek Manchester City.
23-vjeçari ka qenë njëri prej lojtarëve kryesor të ‘Los Blancos’ këtë sezon. Ai ka shënuar 17 gola në 51 ndeshje të luajtura në të gjitha garat sezonin që lamë pas.
Ish-lojtari i Santosit e nisi nga minuta e parë në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Dortmundit, aty ku golat e shënuar nga Dani Carvajal dhe Vinicius Junior, i dhuruan madrilenëve trofeun e 15-të të Ligës së Kampionëve.
Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, Rodrygo u pyet në lidhje me të ardhmen e tij pas thashethemeve për një transferim të mundshëm tek kampioni i Ligës Premier, Manchester City.
Gazeta spanjolle Marca kishte sugjeruar se Pep Guardiola po e konsideron mundësinë që ta transferojë lojtarin në ‘Etihad’ teksa Madridi tashmë ka kompletuar transferimin e Mbappes.
“Këtë javë disa media raportuan për disa oferta, klube. Unë nuk di asgjë rreth këtyre dhe nuk jam i interesuar. Dhe nëse kishte ndonjë propozim, unë nuk ia kam idenë fare. Unë do të qëndrojë. Jam shumë i lumtur këtu. Si mund të largohem nga Real Madridi”, ka thënë braziliani.
Thashethemet në lidhje me të ardhmen e Rodrygos ‘shpërthyen’ kur para finales ndaj Dortmundit, braziliani kishte refuzuar që ta përjashtojë mundësinë e largimit nga Madridi.
“Po, çdo gjë mund të ndodhë. Unë kam një kontratë këtu, por nuk e di”, ishin fjalët e Rodrygos./Telegrafi/