Një pikturë nga një robot me Al e shkencëtarit të shquar Alan Turing, është shitur për një rekord prej 1.2 milion eurosh në ankand.
Ankandi Sotherby’s tha se kishte 27 oferta për shitjen e artit dixhital, i cili fillimisht ishte vlerësuar të shitej nga 110 mijë deri në 160 mijë euro.
Shtëpia e ankandeve tha se shitja historike “prezanton një kufi të ri në tregun global të artit, për një vepër arti nga një robot humanoid”.
Ajo shtoi se puna e Ai-Da Robot është “e para që është shitur nga një robot”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se vepra është një portret origjinal në shkallë të gjerë i Turing, i cili studioi në King’s College, Kembrixh.
Shkencëtari luajti një rol vendimtar në fitoren e aleatëve ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, duke ndihmuar në thyerjen e kodeve dhe deshifrimin e makinës famëkeqe Enigma në Bletchley Park.
Pas luftës ai prodhoi një dizajn të detajuar për një kompjuter dixhital në kuptimin modern.
Sotherby’s tha se vepra u ble nga një person i pazbuluar për një çmim “shumë më të lartë se çmimi i vlerësuar i veprës së artit”.
Ndryshe, Ai-Da Robot tha: “Vlera kryesore e punës sime është kapaciteti i saj për të shërbyer si një katalizator për dialogun rreth teknologjive në zhvillim”.
“Alan Turing e njohu këtë potencial dhe na vështron neve, ndërsa ne garojmë drejt kësaj të ardhmeje”, shtoi roboti.
Aidan Meller, drejtor i Ai-Da Robot Studios, tha: “Ky ankand është një moment i rëndësishëm për artet pamore, ku veprat artistike të Ai-Da sjellin fokusin në botën e artit dhe ndryshimet shoqërore, ndërsa ne përballemi me rritjen e AI”. /Telegrafi/