Roboti Cassie ka vendosur një rekord të ri botëror Guiness në vrapimin prej 100 metrave për robotët dykëmbësh, dhe përderisa nuk është afër shpejtësisë së atletëve më të mirë botëror, ky rekord është një dëshmi e madhe në progresin e inxhinierisë robotike.
Cassie u ndërtua nga Agility Robotics, e cila është një filiale e Oregon State University, dhe që nga viti 2017, roboti ka qenë duke operuar si një platformë për kërkime robotike.
Që nga atëherë, Cassie ka vazhduar që të zhvillohet me hapa të mëdhenj, dhe në vitin 2021 kishte shfaqur një progres të madh, duke vrapuar një distancë prej 5 kilometrash në vetëm 53 minuta, raporton Mezha, transmeton Telegrafi.
Përparimi i bërë përfshin përdorimin e algoritmeve të mësimit të makinerive për t’i dhënë robotit aftësinë e vrapimit, kapërcimin e mekanikës së saj unike dhe gjunjët që përthyhen si një struc për të qëndruar drejt në këmbë.
Me këtë aftësi, Cassie i bashkohet një grupi robotësh vrapues dykëmbësh që përfshinë edhe robotët humanoid të Boston Dynamics, Atlas dhe Mabel, që besohet se janë robotët dykëmbësh më të shpejtë në botë.
Por kur optimizonin Cassie për sprintin 100 metra, studiuesve iu desh të ktheheshin në dizajn.
“Cassie ka qenë një platformë për kërkime pioniere në mësimin e robotëve për lëvizje,” tha Devin Crowley, student i diplomuar i Universitetit Shtetëror të Oregonit.
“Përfundimi i një vrapimi prej 5 km kishte të bënte me besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë, gjë që la të hapur pyetjen se sa shpejt mund të vrapojë Cassie? Kjo e bëri ekipin hulumtues të zhvendoste fokusin e tij te shpejtësia”, shtoi tutje ai. /Telegrafi/