Muzikanti i njohur gjerman, DJ Robin Schulz, i ka bashkuar forcat me këngëtarin britanik, James Blunt, për realizmin e një kënge të re me titull “OK’.
Kënga është publikuar pikërisht në periudhën kur mund të shndërrohet në një hit botëror.
E publikuar me videoklip, është një këngë e zhanrit ‘Deep house’ me melodi të bukur që i përshtatet për mrekulli vokalit të Blunt.
“Kam kaluar shumë mbrëmje në klubet në Ibiza duke e dëgjuar Robin Schulzin e talentuar në rolin e DJ-it, ashtu që isha shumë i entuziazmuar që të bashkëpunoja me të”, ka deklaruar krijuesi i hitit “You’re Beautiful”.
Nga ana tjetër, Schulz ka thënë se është i gëzuar pas reagimeve të para të fansave ndaj kësaj kënge, si edhe ka shtuar se bashkëpunimi me James është gjë e shkëlqyer dhe një përvojë e madhe për të.
“Kjo këngë është e përsosur për verë”, ka thënë gjermani. /Telegrafi/