Telegrafi

Robin Krasniqi e humb titullin e kampionit evropian, mposhtet nga Stefan Haertel

(Foto: Instagram/boxstef)

Haxhi (Robin) Krasniqi nuk ka arritur ta mbrojë titullin e kampionit të Evropës në peshat super të mesme, duke u mposhtur nga kolegu i tij shumë i afërt, Stefan Haertel.

Boksieri kundërshtar e filloi më mirë meçin, duke i dominuar të dy raundet e para, ndërsa Krasniqi pësoi një të çarë në syrin e tij të djathtë. Boksieri shqiptar tentoi të rikthehej në raundin e tretë, por Haertel bëri disa lëvizje të mira, për ta mbajtur edhe më tej epërsinë.

‘Robini’ në raundin e katërt bëri disa goditje nga poshtë-lartë, derisa kundërshtari i tij bëri disa lëvizje strategjike për ta futur në kënd boksierin shqiptar.

Problemet për Robin Krasniqin vazhduan edhe në raundin e pestë, pasi e gjakosura në syrin e djathtë nuk ndalej, edhe pse Haertel filloi të zmbrapsej, pasi mori një goditje në hundë, duke u gjakosur po ashtu.

Raundi i gjashtë, ishte raundi ku boksieri shqiptar filloi të rikthehej, ndërsa boksieri kundërshtar ishte më shumë i kujdesshëm, pasi lëshonte disa goditje të befasishme në drejtim të Krasniqit.

Robin Krasniqi nuk arriti ta mbajë epërsinë që e krijoi në raundin e gjashtë ndaj Haertel, pasi me fillim të raundit të shtatë i pranoi disa goditje të njëpasnjëshme, duke i vështirësuar punët edhe më shumë vetes.

Mbrojtja e boksierit shqiptar filloi të ulej, pasi boksieri kundërshtar bëri disa goditje të mira, për ta rikthyer bindshëm epërsinë ndaj Krasniqit. Në raundin e tetë vërehej lodhja e të dy boksierëve, por që shihej qartë se Haeretel e kishte studiuar mjaft mirë Krasniqin, duke i kuptuar edhe disa goditje që boksieri shqiptar tentonte t’i bënte.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Robin Krasniqi

Robin Krasniqi arriti të rikthehej në raundin e nëntë, duke bërë me fillim disa kombinime të bukura, për ta zmbrapsur Haertelin nga sulmet tij të reshtura. Boksieri shqiptar filloi që ta shfrytëzojë në maksimum fuqinë e tij, që së paku ta zvogëlojë epërsinë e boksierit kundërshtar.

Haertel e thelloi edhe më shumë epërsinë në raundin e dhjetë, duke i bërë disa goditje në drejtim të Haxhi Krasniqit. Boksieri kundërshtar arriti që ta ulë mbrojtjen e Krasniqit, duke i bërë disa kombinime dhe duke bërë që boksieri shqiptar të tërhiqet edhe më shumë në qoshet e ringut.

Raundi i 11-të për Krasniqin ishte një shpresë rikthimi, duke bërë disa goditje të forta në drejtim të Haertel, por që lodhja e tij vërehej qartë. Robini filloi të jepte gjithçka nga vetja në mënyrë që të zvogëlohej diferencë e madhe që ishte krijuar në pikë në mes tij dhe Haertel.

(Foto: Screenshot/YouTube/Sport im Osten/MDR)

Në raundin e 12-të vërehej qartë se Haxhi Krasniqi e kishte humbur meçin edhe pse nga stafi i tij iu bë me dije që të jepte gjithçka për ta rrëzuar Haertelin, pasi me pikë ai veç se e kishte humbur përballjen.

Krasniqi nuk arriti që të bëjë asgjë më shumë ndaj kundërshtarit të tij, duke e humbur kështu titullin e kampionit evropian EBU për peshat super të mesme.

Juria vendosi që me vendim unanim ta shpallë Stefan Haertelin kampion evropian në peshat super të mesme, titull ky që i takonte deri sot Robin Krasniqit. Këto ishin pikët e jurisë në favor të Haretel: 112-117, 112-116, 113-115.

Ky ishte meçi i 55-të në karrierën e Robin Krasniqit, me 49 fitore (ku 17 i ka përfunduar me nokaut), derisa kjo ishte humbja e gjashtë për të. /Telegrafi/