Telegrafi

Robin Hoodi kundër sistemit bankar

32-vjeçari, Enric Duran, ka thënë se shumicën e parave të fituara në këtë mënyrë ua ka dhënë aktivistëve social të cilët janë kundër këtij sistemit financiar me qëllim që ta luftojnë më shumë atë.

Ai po ashtu ka paguar qarkullimin e 200.000 kopjeve të një gazete të quajtur “Kriza”, e cila shkruan se si ai i ka kaluar dy vitete e fundit duke i mashtruar bankat që t’ia japin paratë të cilat refuzon t’i kthejë prapë.

“Nëse e përfshijmë edhe interesin bankar, atëherë borxhi total i imi është mbi 500.000 euro, të cilat nuk e kam plan që t’i kthej”.

“Çka është më mirë se t’i grabisësh ata që na grabitin neve dhe t’ua dorëzosh paratë grupeve të cilat janë kundër situatave të këtilla”.

“Ky ka qenë një veprim i imi individual kundër bankave me ç’rast dëshiroj ta denoncoj sistemin bankar”, ka thënë Duran.

Qytetasi i Barcelonës ka marrë kredi nga 39 banka të ndryshme, përfshirë edhe një bankë të vetme e cila i ka dhënë pesë kredi.

Ai ka shfrytëzuar emrin e një kompanie për t’i ikur analistëve të kredive të cilët mund ta zbulojnë nëse një person ka kredi në ndonjë bankë tjetër.

Policia ka thënë se nuk do të ndërmerren masa kundër Duran, derisa ndonjë bankë të bëjë akuzë zyrtare. Njoftohet se edhe aktivistët të cilët kanë marrë para nga ‘Robin Hoodi’ mund të dënohen me nga gjashtë vjet burg nëse e kanë nxitur veprimin e tij.