Mbrojtësi i Barcelonës, Sergi Roberto, ka thënë se ai dhe bashkëlojtarët e tij akoma po i ndiejnë efektet e humbjes turpëruese nga Bayern Munichu në Ligën e Kampionëve.
Blaugranët u demoluan nga bavarezët (8-2) në çerekfinale të garës më të madhe evropiane që u zhvillua në Lisbonë dhe që nga ajo humbje, ka pasur rrëmujë dhe ndryshime të mëdha te katalunasit.
U ndërrua trajneri dhe drejtori sportiv, shumë lojtarë u vunë në listën e shitjes, ndërsa Lionel Messi nisi një ‘luftë të ftohtë’ me presidentin Josep Maria Bartomeu, saqë e kërkoi largimin nga Camp Nou.
“Ndeshja ndaj Bayernit vështirë se mund të harrohet. Patëm verën më të keqe të mundshme. Pas asaj ndeshjeje nuk deshëm të luanim më futboll”.
“Megjithatë, nën trajnerin e ri, po punojmë shumë për sezonin e ri. Ai po na përgatit taktikisht dhe seancat stërvitore kanë qenë shumë të gjata”, ka deklaruar Roberto në një intervistë për RAC 1 të transmetuar nga Diario AS. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=vtNKf8vQKwY