Telegrafi

Robert Mueller do të dëshmojë hapur në Kongres

Prokurori i posaçëm, Robert Mueller, është pajtuar të dëshmojë hapur para Komisionit Juridik dhe atij të zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve muajin e ardhshëm.

Kryetarët e të dy komisioneve, Jerrold Nadler dhe Adam Schiff, njoftuan përmes një letre të martën vonë, se prokurori Mueller do të paraqitet me 17 korrik dhe se ata dhe të gjithë amerikanët mezi po presin të dëgjojnë prej tij.

Robert Mueller udhëhoqi një hetim pothuajse dy vjeçar mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe pretendimet se presidenti, Donald Trump, pengoi drejtësinë duke u përpjekur të mbyllë hetimin, përcjell tch.

Ai publikoi një raport, një version i redaktuar i të cilit u bë publik në muajin prill, që përfundoi se fushata e presidentit Trump nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë gjatë zgjedhjeve, por nuk arriti të sillte një përfundim në lidhje me pengimin e drejtësisë.

Presidenti Trump ishte shume kritik ndaj procesit, duke i cilësuar hetimet vazhdimisht si “ndjekje shtrigash”.

Ai reagoi shkurt pas njoftimit të së martës në rrjetin twiiter duke shkruar “keqtrajtim i presidentit”.