Djali i vetëm në familjen Kardashian, Rob Kardashian e ka akuzuar ish-të dashurën e tij Blac Chyna se e kërcënoi me armë në raste të shumta.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga People, Rob ka thënë se kërcënimet kanë ndodhur në vitin 2016 në shtëpinë e motrës së tij, Kylie Jenner, në Los Angeles.
“Ajo e përdori telefonin tim në Facetime për të biseduar me mikun tim Victory, ndërsa ishim në FaceTime me të, Chyna ma drejtoi armën dhe më kërcënoi”, citohet të ketë thënë 33-vjeçari.
“Rreth 20 ose 30 minuta më vonë, Chyna erdhi në dhomën e mysafirëve, duke mbajtur ende armën dhe FaceTime mikun tim Eugene. Kur ishim në FaceTime, Chyna ma vuri armën në kokë dhe më kërcënoi. Ajo gjithashtu kërcënoi Eugene”, ka vazhduar ai.
33-vjeçari pohon se incidenti kishte ndodhur pasi ish-e dashura e tij kishte marrë pjesë në një fotosesion dhe gjatë asaj kohe ajo konsumonte edhe ilaçe dhe alkool, shkruan Daily Mail.
Chyna sipas tij kishte tentuar ta vrasë edhe përmes karikuesit të telefonit duke ia shtrënguar rreth qafës. Sipas letrave të gjykatës, Kardashian e kishte telefonuar Corey Gamble (të dashurin e nënës së tij Kris Jenner) dhe i kërkoi që të vinte në shtëpi për të ndihmuar. Nga ana tjetër, avokati i Chyna i ka hedhur poshtë akuzat.
Kardashian fillimisht ngriti padi në shtator 2017 kundër Chynas, emri i vërtetë i të cilës është Angela Renee White. Në një dosje ligjore të raportuar në muajin shkurt të këtij viti, Blac argumentoi se incidenti me armë ishte e gjitha pjesë e një shakaje dhe se të gjithë të përfshirë ishin të vetëdijshëm se ajo ishte vetëm shaka.
Çifti, të cilët u ndanë menjëherë pas grindjes së pretenduar në dhjetor të vitit 2016, gjithashtu kanë qenë në një betejë të nxehtë për kujdestarinë mbi vajzën e tyre, Dream./Telegrafi/