Për të marr një dokument nga Librat amë, duhet pritur me ditë për shkak të procedurave administrative.
Në sezonin veror ky fenomen arriti pikun pasi qytetarët akoma preferojnë metodën e vjetër të presin para sporteleve dhe jo aplikimin on-line pasi procedurën elektronike e shohin më të vështirë se sa pritjet fizike.
Me ardhjen e mërgimtarëve fluksi i kërkesave u dyfishua.
“Për tu realizuar marrja on-line e dokumentacioneve është e nevojshme që qytetarët të kenë profil të hapur për të vërtetuar autenticitetin si dhe pajisjet në shtëpitë e tyre për nënshkrimet elektronike”, thanë nga Drejtoria për udhëheqjen e Librave amë.
Të dhënat e Drejtorisë për udhëheqjen e Librave amë tregojnë se në 6 muajt e fundit janë bërë mbi 256 mijë kërkesa për certifikata të lindjes, kurorëzimit dhe vdekjes, prej tyre vetëm 18 mijë ishin elektronike.
Drejtoria për udhëheqjen e Librave amë:
Certifikatat e lindjes për mars-gusht në sportel 158,929 kërkesa dhe 14,737 aplikime elektronike.
Certifikatat e kurorëzimit për mars-gusht në sportel 50,038 kërkesa dhe 2,926 aplikime elektronike.
Certifikatat e vdekjes për mars-gusht në sportel janë bërë 28,689 kërkesa dhe 697 aplikime elektronike.
Nga Drejtoria e udhëheqjes së Librave amë thonë se portali tyre është aktiv gjatë gjithë kohës, ndërsa qytetarët thonë se nuk mund të kenë çdoherë qasje në e-portal andaj dynden dyerve të drejtorisë.
Drejtori Blerim Abazi iu bën thirrje qytetarëve rezident që të shmangin sezonin e verës, ndërsa diaspora mund të kryej shërbimet on-line nga vend qëndrimet e tyre.
Ndonëse nuk ka asnjë pengesë juridike, nuk ka hapa konkret që të unifikohet sistemi i digjitalizuar, i cili do të mundësonte përmirësimin e gabimeve drejtshkrimore të emrave e mbiemrave. Në krahasim me ne, vendet e rajonit i kanë më të avancuara sistemet digjitale të shërbimeve të gjendjes civile. / Alsat.mk