Institucionet kompetente nuk planifikojnë ta ndryshojnë politikën regjistruese për në shkollë të mesme. Meta.mk i pyeti përgjegjësit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nëse diçka do të ndryshojnë, pas apeleve të ekspertëve arsimor se nuk është e mjaftueshme vetëm notat të jenë kriter për regjistrim, por se duhet të merren parasysh edhe afinitetet dhe shkathtësitë e nxënësve.
Në Ligjin për arsim fillor është parashikuar orientim profesional i nxënësve, por kjo në praktikë rrallë diku funksionon.
“Gjatë regjistrimit në vitin e parë, nxënësi është i obliguar që të dorëzojë vërtetim për pikët e fituara nga aktivitetet e realizuara nga shtesat në dëftesa nga klasa e katërt deri në klasën e nëntë. Nëse në shkollën publike për regjistrim paraqiten më shumë nxënës se sa numri i caktuar, zbatohen kriteret shtesë për regjistrim, si për shembull diploma të fituara nga garat e brendshme dhe ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e MASH.
Këshillë për karrierë, do të ketë në Ligjin për Arsim të Mesëm, i cili është në procedurë kuvendore.
“Në të, me kapituj të veçantë rregullohet këshillimi i nxënësve për karrierë, gjegjësisht sigurohet mbështetje gjatë orientimit në arsim të lartë, për çka shkolla formon komision për këshillim për karrierë, në bashkëpunim me bashkëpunëtorë profesional dhe mësues tjerë nga shkolla”, informojnë nga MASH.
Se notat nuk duhet të jenë vendimtare për atë nëse ndonjë nxënës do të regjistrohet në shkollë të mesme, në deklaratë për Meta.mk tha prof. dr. Kiril Barbareev nga Universiteti i Shtipit “Goce Dellçev”.
“Shkolla duhet të synojë që nxënësit të jenë në gjendje të zgjidhin probleme, të kenë mendim kritik, të marrin vendime, të kenë qëndrime. Ky është qëllimi, e jo pesëshet që tani janë kriteret kryesore për t’u pranuar në shkollë të mesme apo fakultet. Nxënësit kanë aftësi dhe afinitete nga shumë përmbajtje të arsimit formal dhe joformal, kështu që politika aktuale duhet të ndryshojë. Ajo nuk është frymëzim për nxënësit”, konsideron Barbareev.
Ai kujton se kemi një vlerësim në të cilin shumica e nxënësve janë ekselentë, por në realitet janë analfabetë funksionalë dhe këtë e vërtetojnë shumë analiza vendore dhe ndërkombëtare.
Sipas tij, duhet një shkollë e re që do të krijojë një mjedis social dhe emocional përmes të cilit çdo nxënës do të realizojë potencialet dhe ëndrrat e tij, diçka që nuk është bërë prej shumë kohësh në vendin tonë.
“Nxënësit mësojnë më mirë kur e dinë saktësisht se çfarë pritet prej tyre, të dinë dhe të bëjnë”, shton ai.