Site icon Telegrafi

RMV: Keqpërdorimet e balancuesit nuk ndalen kërkohet shqiptar, punësohet maqedonas

Vazhdon keqpërdorimi i balancuesit për punësim, i cili ka për qëllim përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve në institucionet e shtetit. Rasti i fundit që denoncohet në Alsat, është punësimi në Agjencinë për mbështetje financiare në Bujqësi dhe zhvillim rural.

Në fund të vitit 2022, Agjencia ka hapur në konkurs për punësim me numër rendor 739/2022, ku përveç kritereve tjera të cilët është dashur t’i plotësojnë kandidatët, potencohet qartë vendi i lirë është për qytetar të përkatësisë etnike SHQIPTAR.

Por në vendimin e marrë nga Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim rural të vulosur më 7 shkurt të këtij viti, qëndron emri i një qytetare maqedonase e cila është shpallur si fituese e konkursit dhe është punësuar në pozitën e bashkëpunëtorit më të ri për mbështetje dhe kontroll të dokumenteve.

Dërguam pyetje në Agjenci:

Pse është bërë kjo zgjidhe?
Pse nuk është respektuar balancuesi për punësim?
Dhe a do të mbajë dikush përgjegjësi për shkeljen e këtillë?

Por Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim rural fajin e hedhin tek Agjencia e Administratës. Nikica Baçovski thotë se kushtet e konkursit dhe faza fillestare e konkursit janë kryer në Agjencinë e Administratës, ndërsa në fund vetëm e kanë njoftuar Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim rural me kandidatët më të mirë.

Pas përfundimit të gjithë këtyre fazave, Agjencia për Administratë deri tek AMFBZHR dorëzoi listë me kandidatët më të mirë të radhitur e sipas kësaj është marrë edhe vendimi për zgjedhje. Prej këtu dua të them se vetë përcaktimi (që është e drejtë kushtetuese) bëhet nga ana e aplikuesve në momentin e aplikimit përmes profilit të Agjencisë së Administratës. AMFBZHR merr vendim vetëm në bazë të listës së dorëzuar të kandidatëve më të mirë nga ana e Agjencisë së Administratës, u shpreh Nikica Baçovski, drejtor i AMFBZHR.

Keqpërdorimi i Balancuesit për rregullimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në Administratën publike dhe shtetërore bëhet vazhdimisht. Në konkurset për punë, qytetarët shpesh deklarohen sikur i përkasin një etniteti tjetër për të zënë një vend pune. Së fundmi keqpërdorime të tilla u konstatuan edhe në Konkurset për punësim të vetë Komisionit për Anti Korrupsion, raste të cilat Komisioni i denoncoi në prokurori, u hodhën poshtë si të pabaza. /alsat.mk

Exit mobile version