Qytetarët do të paguajnë çmime më të larta për pajisje me pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shoferi, ndërsa shërbimet do të vazhdojnë të mbeten të njëjta. Pritje para sportelit, probleme me terminët dhe e vonesa për të tërhequr dokumentet do të ketë edhe për një kohë. Edhe pse nga MPB thonë se vazhdimisht punojnë për të qenë më të shpejtë, megjithatë pjesë të fajit hedhin edhe tek qytetarët të cilët sipas tyre për dokumente intereson vetëm gjatë verës.
“MPB vazhdimisht mundohet që sa më shpejtë dhe në mënyrë sa më cilësore t’u shërbejë qytetarëve. Ajo që është fakt është se në këtë moment nuk ka absolutisht asnjë pritje për caktim të terminit dhe dhënie të dokumenteve personale, edhe pse afati ligjor është 15 ditë, absolutisht dokumentet përpunohen për më pak se 6-7ditë. Qytetarëve u bëj thirrje të aplikojnë pasi në këtë periudhë ka interes të ulët për dokumente të reja”, tha Toni Angellovski, MPB.
Për pajisje me dokumentacione aktualisht vlen çmimi i vjetër, por MPB paralajmëron ndryshime të çmimeve. Me çmimet e reja të shtrenjtuara një qytetar mbi moshën 27 vjeçare duhet të ndajë 2720 denarë nëse dëshiron të pajiset me pasaportë, letërnjoftim dhe leje për vozitje, që do të jetë për 750 denarë më shtrenjtë se çmimi aktual.
Nga MPB njoftojnë se do të ketë edhe ndryshim të çmimeve edhe për pajisje me këto dokumente me procedurë urgjente. Nga MPB arsyetohen se ndryshimi i çmimeve bëhet për shkak të rritjes së çmimeve blerëse për formularët, rritjes së shpenzimeve për mirëmbajtje të sistemit që kryhet nga ana e një operatori ekonomik të huaj, si dhe blerja e makinerive të reja për shkak të nevojës së treguar për zëvendësimin e makinerive të amortizuara për personalizim etj./Alsat.mk