Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se do të investojnë në ndërtesat sociale, ku jetojnë familjet në nevojë.
Investimet do të bëhen në Prishtinë, Skenderaj, Klinë, Drenas, Gjilan, Viti, Kamenicë, Obiliq, Istog, Malishevë.
“785 familje në nevojë (rreth 3,400 qytetarë) do të kenë kushte më të mira jetese pasi 22 banesa sociale ku jetojnë, përmes investimit prej 5.5 milionë euro do të kenë: Izolimin e kulmit; Izolimin e mureve; Dyer e dritare të reja; Sistemin e ngrohjes për secilën familje; Renovimin e hyrjeve; Sistemin e interfonisë dhe masat për mbrojtje kundër zjarrit dhe detektorët e tymit”, thuhet në njoftimin e bërë nga ministrja.
Tutje, ajo ka shtuar se “nga të gjitha projektet e investimet që janë bërë gjatë këtij mandati, e që po nisim këtë mandat që të bëhen përgjatë viteve në sektorin e energjisë, për mua ky është më i veçanti sepse prek direkt shtresat e cenueshme të shoqërisë – të cilat kurrë më herët nuk janë trajtuar me kujdesin e duhur”. /Telegrafi/