Telegrafi

Rizvanolli jep këshilla për kursimin e energjisë, Kusari-Lila thotë se jemi në dy muajt kritikë

Temperaturat e ulëta kanë përfshirë Kosovën, derisa është shtuar nevoja për konsumimin e energjisë elektrike.

Zyrtarët shtetërorë kanë bërë thirrje që të kursehet energjia elektrike aty ku është e mundur në mënyrë që të mos ketë mbingarkim të rrjetit e rrjedhimisht ndërprerje të energjisë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka treguar disa mënyra sesi të kursehet energjia elektrike.

“Sot janë ulur ndjeshëm temperaturat, e këtë parashikim të motit do ta kemi edhe në ditët në vijim”, ka shkruar Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli ka thënë se “për të kursyer energjinë elektrike e gjithashtu për të mos e ngarkuar rrjetin elektro-energjetik ju lusim që të kurseni dhe të optimizoni shfrytëzimin e energjisë elektrike”.

Njoftimi i Rizvanollit

Tutje Rizvanolli ka shtuar se duhet të shkyçen dritat e panevojshme, të shfrytëzohet rrobalarësja pas orës 24:00, të shfrytëzohet enëlarësja pas orës 24:00, të aktivizohet bojleri pas orës 24:00, dhe të shfrytëzohet tharësja pas orës 24:00.

Lexo po ashtu KEDS: Mbesin pa rrymë një numër i caktuar i qytetarëve, erërat e forta dëmtuan përçues dhe shtylla elektrike në disa vende

Ndërsa shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se vendi ka hyrë në dy muajt kritikë për kursimin e energjisë elektrike.

Përmes një postimi në Facebook ajo u ka bërë thirrje qytetarëve për kursim të energjisë elektrike.

“Kampanjës së Qeverisë për të ngritur vetëdijen dhe për të shtuar masat për kursimin e energjisë i janë bashkangjitur Ambasadorë dhe përfaqësues të Qeverisë. Të gjithë duke kursyer nga pak në përditshmërinë tonë, bashkë bëjmë diferencën e madhe për gjithë sektorin! Të mbështesim bashkë fushatën për masat e kursimit të energjisë”, ka shkruar ajo.

Kusari ka bashkangjitur edhe kampanjën e qeverisë ku thuhet se dy muajt “që kemi para nesh janë kritikë në përballje me krizën energjetike”.

“Andaj, për të vazhduar furnizimin e rregullt dhe me çmime të përballueshme, për të kursyer buxhetin tuaj dhe të Republikës së Kosovës, ju bëjmë thirrje dhe inkurajojmë që të vazhdoni dhe intensifikoni kursimin e energjisë”, ka shkruar tutje Kusari./Telegrafi/