Pas raportimit të RTV Dukagjinit, fotografia e Adem Jasharit e cila ndodhet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, do të rivendoset e re.
Ramadan Selimi, kryetar i Federatës së Boksit tha se menjëherë pas kritikës, morën iniciativën për rivendosjen e saj.
“Së pari dua t’ju përshëndes juve dhe të ju falënderoj që para dy ditëve na keni dhënë një kritikë për mirëmbajtjen e fotografisë së Adem Jasharit dhe ne menjëherë pa hezitim morëm iniciativën ta rivendosim fotografinë e Adem Jasharit”, tha për RTV Dukagjinin, Ramadan Selimi, përcjell Telegrafi.
Selimi shtoi se janë duke ndërmarrë një iniciativë në lidhje më emërimin e kompleksit të pallatit të rinisë.
“Ne si Federatë e Boksit që sot kemi marrë një iniciativë për emërimin e këtij kompleksi që të quhet Pallati i Rinisë – Adem Jashari. Që nga sot ne ju bëjmë thirrje te gjitha institucioneve tona dhe federatave e sportistëve që të na përkrahin”, shtoi më tej Ramadan Selimi.
Fondet për vendosjen e fotografisë së re të heroit Adem Jashari, i ka siguruar vetë Federata e Boksit. /Telegrafi/