Telegrafi

Rivarroset Habib Grajqevci i vrarë nga forcat serbe në vitin 1999, dy djemtë e tij ende të zhdukur

Gjatë të martës, në u bë rivarrimi i dëshmorit Habib Grajqevci i cili u vra në vitin 1999 nga forcat serbe. Rivarrimi u bë në varrezat e Hashanëve në Obiliq, pasi eshtrat e tij u gjetën javën e kaluar.

Ceremonia e rivarrimit u bë nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në prani të përfaqësueseve të Qeverisë së Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i shprehu ngushëllime familjarëve të të pagjeturit duke i premtuar se Qeveria e re do të bëjë të pamundurën për të gjetur vëllezërit e Habibit dhe të pagjeturit e tjerë.

“Qeveria e re do të ketë qasje tjetër karshi të pagjeturve që Serbia nuk i ka kthyer në Kosovë. Une sot jam këtu për të shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të kthyer të pagje turit. Do të jetë prioritet i qeverisë sonë që edhe vëllezërit e Habibit të prehen të qetë dhe të kthehen pranë tij dhe pranë familjarëve… Institucionet e Republikës së Kosovës do të punojnë pandalë për t’i kthyer të pagjeturit”, deklaroi Haxhiu, njofton KosovaPress.

Ibush Mjekiqi, nënkryetari i Komunës së Obiliqit duke i shprehur ngushëllime familjes, ka kërkuar nga institucionet që të bëjnë çmos për të pagjeturit dhe kthimin e trupave të tyre në Kosovë.

“I shprehim ngushëllime familjes së bashkëvendësit tonë Habibit i cili dha jetën për lirinë e Kosovës. Kërkojmë nga institucionet që të bëjnë çdo gjë të mundshme për gjetjen e këtyre viktimave që për fat të keq ende janë shumë të pagjetur”, deklaroi Mjekiqi.

Familja Grajqevci ka të zhdukur edhe dy djem të tjerë Xhevat e Nebih Grajqevci, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur ende.