Drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-ve, James Clapper, në një seancë të Senatit theksoi për mundësinë e tensionime të reja në Ballkan gjatë vitit 2012, ndërsa ish- koordinatori i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, shfaqi idenë e shkëmbimit të territoreve apo të ndarjeve të reja në rajon. Një Kongresmen amerikan gjatë vitit 2011, po ashtu përkrahu idenë që Beogradi dhe Prishtina të dakordohen rreth veriut, qoftë edhe nëse kjo do të çonte në ndërrim territoresh.
Poshtë lartë për Fuqitë Botërore ka filluar të bëhet apo të tingëllojë jo keq ridefinimi i kufijve të Ballkanit, pra si për Amerikën apo për BE ky fakt nuk përbën më çështje që nuk mund të bisedohet.
Në këtë drejtim gjate vitit 2011 kriza në shtetet e Eurozonës ka bërë që të duhet se Evropa është duke shkuar drejt fragmentimit dhe tani ky moment ka lënë hapësirë që kriza të vërshojnë në jug të kontinentit , në Ballkan ,ku si shkas i konfliketeve të izoluara dhe të papërfunduara, janë krijuar kushtet që gjendja në Kosove, Bosnjë apo në Maqedoni të duket e paqëndrueshme dhe e tensionuar, duke lënë mundësinë për llogaritje të tjera shtetërore ose duke shkuar drejt ridefenimit të kufijve të vendosur në shekullin e XX.
Nacionalizmi ballkanik në politikat shtetërore
Dy dekada të transformimeve në rajon dhe përpjekjeve jo të suksesshme për të stabilizuar raportet në mes shteteve atij, nuk sollën ndonjë situatë që do të mënjanonte ose do të pengonte fillimin e krizave etnike në të ardhmen.
Konfliktet brenda Ballkanit për më shume se një dekadë, shkatërruan një tërësi federative dhe më vonë kjo situatë çoi në ringjalljen e nacionalizmit kombëtarë tek serbët, kroatët për të fituar dhe dominuar më shumë territor dhe pozitë gjeostrategjike në rajon.
Ky nacionalizëm u shpreh ndryshe tek shqiptarët në Kosovë, me fillimin e konfliktit në 1998 e që përfundoi me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.
Ndërkaq, ëndrrat e shqiptarëve të Maqedonisë dhe Mal të Zi për të përfituar nga ky ndryshim i madh rajonal, nuk u bënë realitet, dhe vazhduan të qeverisen nga shtetet tjera ballkanike. Pikërisht kjo pozitë ka bërë që gjendja të vazhdojë të jetë si bazë për konflikte në Maqedoni, Bosnjë apo më gjerë.
Sindroma ballkanike ndoshta nuk filloi vetëm nga interesi i një etniteti për të sunduar etninë tjetër, por ajo gjendje prej vitit 1389 e deri më sot ngërthente dëshirën e popullatës sllave për të fituar më shumë territore dhe nga ana tjetër, shfaqjes së idesë për të luajtur një rol dominues në politikat globale të perandorive apo fuqive botërore.
Në këtë linjë të shfaqjes së nacionalizmit dhe rivaliteteve ballkanike,në dekadën që kemi hyrë, si duket jemi para një cikli ri të shpalljes së autonomive apo organizimit të referendumeve si në Bosnjë, Kosovë apo në Maqedoni. Pavarësitë e shpallura nga kombet në Ballkanin Perëndimorë ndikuan që forcat gjeopolitike në rajon të ndryshojnë në favor të shqiptarëve, sllovenëve, kroatëve, dhe deri diku dhe të maqedonasve.
Harta e re e Ballkanit dhe aleancat rajonale
Përderisa gjatë kësaj periudhe kishim shpallje të pavarësive shtetërore dhe fillim të konflikteve ndëretnike, viti që kemi hyrë, si duket është duke u vërshuar përsëri nga një seri tjetër të tensioneve rajonale apo më shkurtë të ridefinimit të gadishullit, të ndryshimit të hartës aktuale të rajonit.
Në këtë drejtim këto nuk janë vetëm kalkulime që dalin nga Fuqitë Botërore për të përforcuar pozitat në rajon dhe Azi, por janë edhe iniciativat politike të grupeve etnike në Bosnjë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni.
Ndoshta për këtë trend ndoshta është shumë herët të flitet dhe i takon ndoshta imagjinatës duke thënë se është e pamundur në këtë shekull të kemi ndryshime të kufijve shtetërorë. Po vetëm një fakt, le ta marrim Evropën si rast ku si rezultat i luftërave të brendshme dhe përpjekjeve për të dominuar skenën politike evropiane, kufijtë e shteteve ndryshuan edhe atë duke filluar që nga Paqja e Vestfalisë (1648) e deri në vitin 1989 kur u shemb Muri i Berlinit.
Pra, nuk është e pamundur që edhe në Ballkan të shohim një proces të lëvizjeve të kufijve shtetërorë apo të vendosjes së linjave të reja. Të paktën kështu filloi ky proces edhe atë nga Kongresi i Berlinit (1878) me shpalljen e pavarësive të shteteve sllave nga Perandoria Osmane, ku shumë kombe të tjera u shtypën dhe në një farë mënyre përfundoi me bisedimet e Vjenës (2006), ku përfundimisht u shtruan bazat për pavarësinë e Kosovës. Kështu që ky cikël historik është duke u përsëritur sot që mund të çojë në procese, që do të aktualizonte çështjen e kufijve.
Në hartën gjeopolitike të rajonit tani për tani kemi tre faktorë: shqiptarë, serbë dhe maqedonas, që janë duke i lëvizur forcat, në drejtim të prishjes së balancës të krijuar nga amerikanët në vitin 1992.
Serbët dhe maqedonasit momentalisht janë duke e përdorur nacionalizmin si mënyrë për të rikthyer gjendjen që dikur e gëzonin para vitit 1988, si forcë reale dominues në rajon.
Në këtë fushë nuk duket përjashtuar aleancat ballkanike si ato bullgare, turke apo greke, që në një farë forme janë duke e ndihmuar këtë humbje të balancës apo forcim të mëtutjeshëm në mes tyre.
Ministri i Jashtëm turk, Davutolgu dhe kryeministri Erdogan, disa herë kanë vizituar rajonin duke ngjallur emocione të së kaluarës dhe duke premtuar ndihmë ekonomike dhe aleanca strategjike. Nga ana tjetër ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic dhe kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, janë duke lidhur marrëveshje strategjike me Turqinë. Këtu është i turbullt roli i Turqisë në rajon, për sa i përket influencës që dëshiron të arrijë dhe taktikave diplomatike ku është në çështje pozita e shqiptarëve dhe gjendjes në Bosnjë.
Greqia është futur në një krizë financiare që nuk i dihet se çfarë drejtimi do të marrë, ose a do të kthehet në një status që do të komplikonte marrëdhëniet edhe më shumë më shtetet fqinje. Bullgaria është duke fituar një rëndësi strategjike nga amerikanët. Sekretarja Klinton këtë javë ka nënvizuar së Bullgaria do të luajë një rol mjaft specifik dhe sipas gazetave bullgare, SHBA tenton që të kontrabalancojë Rusinë në Ballkan, dhe nga ana tjetër duke paralajmëruar Turqinë për politikat ekstremiste në rajon dhe më gjerë në Lindjen e Mesme. Bullgaria në këtë rast është duke u shërbyer amerikanëve si pikë për të vendosur sistemet raketore. Kështu në këtë lojë të vlimeve rajonale edhe Fuqitë Botërore janë duke i dhënë dinamikë këtij rivaliteti ballkanik.
Shqipëria dhe Kosova janë duke u përballur me kriza të brendshme dhe këtu nga disa forca të tjera politike është parë nevoja e ndryshimit të kursit drejt këtyre zhvillimeve rajonale në Ballkan dhe Evropë.
Shqipëria ka pozitë gjeografike që mund të ndihmojë shqiptarët që kanë ngelur nën okupimet sllave që nga viti 1912. Por deri më tani, nuk është e sigurt se nëse kjo pozitë do të shfrytëzohet nga qeveritë atje për të hyrë në këtë lojë.
Modernizimi i infrastrukturës dhe industrisë dhe së fundi anëtarësimi në NATO (2008) duket t’i shërbejnë qeverisë shqiptare si argument për të marrë pjesë në këtë gjeopolitikë të re të nacionalizmit dhe përfitimit të territoreve ashtu siç është duke e bërë qeveria në Beograd, duke ndihmuar serbët.
Serbia nëpërmjet influencës ekonomike dhe politike dhe tregut te zi ka arritur që të krijojë gjendje konfliktuoze në Bosnjë dhe Kosovë, duke përkrahur serbët në veri dhe duke dëmtuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Depërtimin tjetër është duke e bërë në Maqedoni,por këtu është më ndryshe dhe në mënyrë strategjike duke shfrytëzuar qeveritë në Shkup si platformë për të zgjeruar interesat e vjetra shtetërore serbe në Maqedoni.
Pra, Serbia nuk ka interes që ta dëmtojë Maqedoninë, por është duke e ndihmuar atë, që ta dinamizojë dhe ta afrojë si aleatë në jug të Ballkanit.
Marrëveshja ruso-serbe bëri që tubacioni i gazit natyrorë të mos kalojë nëpër Maqedoni dhe viset shqiptare, për arsye se Serbia dëshiron të influencojë Maqedoninë sot dhe në të ardhmen.
Në këtë hapësirë gjeopolitike të krijuar nga viti 2008 e deri më sot, kemi një farë nacionalizmi tjetër serbo-maqedonas, të fshehur në aktivitetet e tyre diplomatike si në rajon dhe në politikën botërore.
Pra ata janë duke e dinamizuar një erë të re të nënshtrimit, dhe ndarjes së territoreve. Prej këtu qeveria serbe ka arritur të influencojë në Bosnjë dhe Kosovë nëpërmes linjave financiare dhe të ekonomisë së zezë, duke u dhënë serbëve përkrahje në të gjitha kërkesat për shkëputje nga shtetet përkatëse. Ndërsa në Maqedoni po bëhet e kundërta, nëpër mes joshjeve financiare, qeveria atje ka arritur të korruptojë politikanët shqiptarë për të mos bërë kërkesa maksimaliste.
Tani për tani nuk kemi indikatorë që tregojnë se gjatë vitit 2012 mund të kemi radikalizëm të popullatës shqiptare që do të çonte në kërkesat për ndarje. Janë shfaqur gjatë dy javëve të fundit lëvizje radikale nga maqedonasit sllavë për të nxehur marrëdhëniet ndëretnike, por është e paqartë se si ky tensionim do të kthehej një moment politik dhe historik për shqiptarët atje.
Trendi i referendumeve
Pra, viti 2012 Ballkanin, e gjen para sfidave të referendumeve dhe dëshirës për statuse speciale. Në krahasim më Maqedoninë dhe Serbinë qeveria e Shqipërisë që nga viti 1991 e deri me sot ka ngecur në drejtim të ndryshimit të kursit drejt shqiptareve që jetojnë në Ballkan.
Pra për të ardhur keq, të gjithë qeveritë shqiptare në Tiranë, nuk arritën të bëjë atë që e bënë qeveritë tjera të rajonit, për të përdorur fuqinë diplomatike dhe atë ekonomike për të ruajtur territoret.
Qeveritë shqiptare deri më sot nuk e kanë përdorur nacionalizmin si vegël për të çuar përpara idetë kombëtare të përfitimit të territoreve të humbura në vitin 1912, duke pasur drojën se do të humbasin imazhin përpara bashkësisë ndërkombëtare apo ndryshe do të akuzohej si qeveri që dëmton paqen në rajon, për shkak të përkrahjes së kërkesave të shqiptarëve që ngelën jashtë kufijve të vitit 1912-1913. Këtu duhet përmendur fakti se kur Beogradi akuzohej për ndihmë të serbëve nga BE dhe SHBA, kjo e fundit as që dëshironte t’i dëgjojë këto akuza.
Pikërisht këtu kanë ngecur qeveritë shqiptare për të transformuar mesazhin nacionalist në atë pragmatik të shpjegimit të çështjeve drejt para bashkësisë ndërkombëtare gjatë viteve që lëmë pas.
Pra në këtë hartë të re, gjatë viteve të fundit kemi një lëvizje nacionaliste në Shqipëri dhe Kosovë që dëshiron t’i rikthejë shqiptarët në të njëjtat pozita gjeopolitike, ashtu siç janë duke u pozicionuar fqinjët në rajon.
Kjo gjendje që po krijohet në Ballkanin Perëndimorë është duke shkuar paralel me rivalitetet brenda shteteve të BE-së për dominim dhe influencë si në Evropë dhe në Ballkan.
Përderisa gjendja financiare në BE do të përkeqësohet dhe do të sjellë në skenën politike evropiane parti me orientim të djathtë, këtu në Ballkan ashtu si shekuj më parë, nacionalizmi do të marrë një trend tjetër dhe do të çojë në ndryshime të mundshme të qeverive. Pra qeveritë ballkanike do të arrinin në pushtet, duke përdorur identitetin kombëtarë, si mundësi për të fituar zgjedhjet dhe nga ana tjetër për të promovuar idetë shekullore të ndarjeve dhe përfitimit të territoreve të reja.
Kështu, Ballkani ndodhet përpara prishjes së baraspeshës gjeopolitike dhe ardhjes në skenë të forcave të reja. Në Bosnjë për disa vite me radhë serbët dhe liderët politikë janë duke kërcënuar qeverinë qendrore me referendum dhe bashkim me Serbinë. Po ashtu serbët në Kosovë, në pjesën veriore, të ndihmuar nga qeveria në Beograd kërcënojë Prishtinën me referendum apo me status special. Këto dy të parat janë të vlerësuara si më të rrezikshmet që do të sillnin lëvizje të vijave kufitare dhe do të krijonin një hartë të re në Ballkan.
Në Maqedoni si rezultat i politikave të nënshtrimit dhe nacionaliste të të gjitha qeverive maqedonase (1991-2011) kundër shqiptarëve, kanë arritur të mbajnë nën kontroll të gjitha lëvizjet për autonomi apo për ndonjë përcaktim tjetër shtetërorë. Këto politika qeveritare maqedonase, kanë qenë të përkrahur edhe nga partitë shqiptarë të cilët kanë bërë koalicione me palën maqedonase në dëm të kërkesave të shqiptarëve.
Pra kjo dekadë do të karakterizohet nga shpallja e referendumeve, statuseve speciale, nëpër shtetet aktuale të Ballkanit Perëndimorë.
Lufta për territore-nga Karpatet e deri te lumenjtë navigues
Për nga aspekti historik, që nga dyndja e sllavëve nga Karpatet për në fushat pjellore të Ballkanit Jugorë, pra drejt viseve shqiptare, solli ngushtimin e territorit shqiptarë dhe zvogëlim të kapaciteteve të tyre ushtarake dhe ekonomike të asaj kohe për të përballuar këtë depërtim sllav, e që më vonë do të sillte pasoja për tërë popullatën jo sllave të rajonit.
Lumenjtë navigues si Danubi, Morava dhe Drini i dhanë përparësi këtij pushtimi, duke shpejtuar procesin e kolonizimit. Kështu që këtë situatë që e shohim sot në politikën e Serbisë për të marrë territore, daton që shekuj më parë dhe dëshmon qartë për tendencën serbe për nxitje të konflikteve.
Së këndejmi kundërshtimet gjeopolitike për territore, filluan të rriten edhe më shumë, kur në Mesjetë, Perandoritë Serbo-Bullgare pushtuan tërë rajonin. Ky okupim dhe rivalitetet mori shpejtësi tjetër me ardhjen e Perandorisë Osmane në rajon, që nga viti (1369) pas betejës në Adrianopojë, dhe morri fund në vitin 1914 kur u shpërbë Perandoria, si rezultat i fillimit të luftërave ballkanike (1912-1913) dhe Luftës së Parë Botërore.
Kështu që kundërshtimet rajonale në mes popujve me përkatësi të ndryshme etnike, sollën që nacionalizmi primitiv të marrë drejtim apo ngjyrë moderne. Këtu duhet përmendur përpjekjet dhe politikat qeveritare serbe që çuan në konfrontimet etnike të viteve 1991-2001 në rajon.
Që nga cikli i parë i konflikteve i këtyre viteve nuk kemi parë ndonjë përleshje serioze të shteteve aktuale në rajon. Nëse optimistët do të vlerësonin se pas dy dekadave nuk do të kemi fërkime të reja etnike, atëherë si është e mundur të vërtetohet konstatimi se BE pra shtetet e Eurozonës janë kapluar nga kriza dhe përleshjet e brendshme mund të çojnë BE në krizë politike dhe rikthim të unionit në arenë konfliktesh?
Prandaj prej këtu në Ballkan, janë duke u shtuar gjasat, si rezultat i këtij nacionalizmi të ri, të hapen rrugët drejt fragmentimit të gadishullit dhe krijimit të shteteve te reja më linja kufitare me ndryshe. Si dukët ky trend që po paraqitet i përgjigjet të gjithë rajonit, pra partive që kanë karakter ultra nacionalist.
Vlimet në politikën ndërkombëtare ashtu si më parë e kanë bërë rajonin që të jetë si strumbullar para Amerikës, Rusisë BE-së dhe Turqisë. Krijimi i partnerëve strategjik nga ana e Fuqive Botërore me vendet e Ballkanit Perëndimorë do të çojë në fërkimet etnike lokale në rajon.
Deklaratat e fundit të zyrtarëve të BE-së dhe Amerikës, lënë të kuptojmë se rajoni është duke hyrë në një cikël tjetër të tensionimeve dhe rivaliteteve rajonale. Kështu që edhe një herë, Ballkani vizitohet nga Fuqitë e Mëdha ,ashtu si një shekull më parë, që çoi në përpilimin e hartave të reja.