Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj njofton se këmbësori që mbeti i vdekur si pasojë e aksidentit në Prishtinë është qytetar i Komunës së Deçanit
26-vjeçari Shkumbin Habibaj, vdiq pasi u godit nga një veturë në rrugën “Agim Ramadani”.
Ramosaj thotë se është i tronditur nga lajmi për vdekjen aksidentale të të riut Shkumbin Hebibaj, nga Baballoqi i Deçanit.
“Në këto momente të rënda për familjen Hebibaj, ndajmë dhembjen me ta dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Deçanit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen”, ka shkruar Ramosaj.
“Zoti ju dhashtë forcë që ta kaloni këtë dhembje”, vijon ai njoftimin.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se ngasësja e automjetit që shkaktoi aksidentin me fatalitet, është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Ju njoftojmë lidhur me aksidentin i cili ndodhi sot në rrugën “Agim Ramadani”, se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarës, për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” (me fatalitet). E dyshuara është dërguar në mbajtje ne kohëzgjatje prej 48 orësh”, njofton Prokuroria.
Ndryshe, Habibaj ka humbur jetën sot në Prishtinë, pasi është goditur nga një veturë e cila ishte duke lëvizur në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.
Policia e Kosovës njoftoi se aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:40.
“Sot rreth orës 12:40 kemi pranuar informatën se në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori i cili nuk ka arrit të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka konfirmuar Policia e Kosovës./Telegrafi/