Pak ditë pasi Top Channel solli historinë e një 12-vjeçareje nga fshati Polis Sheh i Librazhdit, që ishte fejuar nga prindërit, vjen edhe versioni i dhëndrit Alfred Karaj, 24-vjeçar nga fshati Kaliveç i Gramshit.
Ai tregon se si e ka njohur të miturën.
“Jemi njohur me mbles. Goca ka rënë dakord, kanë ardhur njerëzit dhe kanë parë, gjithçka në rregull. Kemi bërë marrëveshje”, thotë ai.
Pyetjes nëse ka dijeni se e kap ligji për martesë nën moshën 18 vjeç, Alfredi i përgjigjet: “Pse, do të rrime beqarë ne?”
I riu këmbëngul se vajza është 14 vjeç, duke e konsideruar këtë si moshë më të lejueshme.
“E kam pasur një herë vajzën në shtëpi, pastaj e kam çuar prapë lart”, rrëfen ai, duke iu referuar fshatit malor ku jeton nusja e tij 12-vjeçare, transmeton Albeu.com.
Në ndryshim nga xhaxhai i vajzës, i cili më herët tha për Top Channel se prindërit e saj janë të papërgjegjshëm, Alfred Karaj ka një tjetër pretendim.
“Prindërit janë njerëz normalë dhe nuk dëgjuar asgjë për ta”.
Duke u mbrojtur nga e gjithë kjo ngjarje që e vuri në qendër të vëmendjes, ai thekson se do ta presë vajzën të mbarojë shkollën, e më pas të martohen.
“Nuk kam kushte ekonomike që ta çoj në shkollë të lartë, por të mesmen do ta mbarojë”.
Alfredi kërkon që të tjerët të mos ndërhyjnë në këtë situatë, sepse gruaja e tij s’ka ankesa për të dhe se është jeta e tyre private.
I pyetur nëse 12-vjeçarja e ka marrë e vetme këtë vendim, 24-vjeçari shprehet: “Do të rritet avash-avash”.