Chen Zhenghao, një kinez 26-vjeçar, u bë hit në rrjetet sociale të vendit aziatik pasi la punën e tij për të shkuar në Katar për të mbështetur Argjentinën dhe Lionel Messin në “kupën e fundit botërore” të sulmuesit të madh.
Një tifoz i Messit, i cili punonte për një kompani reklamash në rrjetet sociale, vendosi të linte punën dhe të përdorte të gjitha kursimet e tij për të udhëtuar në Katar dhe për të parë Kupën e Botës.
Në një raportim të bërë nga mediat kineze, i cili u shfaq në rrjetin social kinez Weibo, ngjashëm me Twitter, ai u vetëshpall si “tifoz i flaktë” i kapitenit të skuadrës argjentinase, të cilin e ka admiruar që nga viti 2005, shkruan Marca.
“Familja ime më mbështet vërtet dhe duke qenë se e dinë që e ndjek futbollin që në moshë të vogël, e kuptojnë edhe përkushtimin tim ndaj Argjentinës dhe Messit”.
Chen siguron se pas përvojës në Kupën e Botës në Katar, ai kurrë nuk do të jetë “aq i dashuruar me një tjetër yll futbolli” dhe do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Messit për “paraqitjet e tij të mrekullueshme ndër vite”. /Telegrafi/