Site icon Telegrafi

I riu dyshohet për tentim vrasje, Prokuroria me detaje rreth plagosjes në kazino të Tetovës

Prokuroria e Tetovës kërkon paraburgim shtëpiak për një 19-vjeçar i cili dyshohet për veprën penale “tentim vrasje”, që dënohet sipas nenit 123, paragrafi 1 nga Kodi Penal.

I riu dyshohet se ka plagosur me thikë disa herë një të njohur, pasi i njëjti pasi i kishte dhënë dy herë nga 50 euro, kishte refuzuar ti jep më tepër para.

“Më 7 janar, i dyshuari e ka takuar të dëmtuarin në orët e hershme të mëngjesit dhe më pas kanë shkuar në një kazino në fshatin Zhelinë. Në kazino i ka kërkuar të dëmtuarit 50 euro të cilat i ka shpenzuar menjëherë. Më pas kanë shkuar në një kazino në fshatin Zherovjanë, ku sërish ai i ka kërkuar dhe i ka marrë të dëmtuarit 50 euro. Kur është kthyer i nervozuar në veturë, i dyshuari i ka kërkuar viktimës më shumë para, por ai nuk ka pranuar t’ia japë. Në atë moment i dyshuari ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe e ka kërcënuar”.

“Viktima sërish ka refuzuar t’i japë para dhe i ka thënë të dalë nga automjeti i tij, pas së cilës i dyshuari e ka goditur me thikë disa herë në bark dhe në gjoks. I dëmtuari ka zbritur menjëherë nga vetura dhe ka filluar të vrapojë, ndërsa i dyshuari ka vrapuar pas tij me thikë në dorë. Ai ka kapur të dëmtuarin dhe i ka dhënë disa goditje të tjera në shpinë dhe në kokë, duke i shkaktuar lëndime të rënda, të rrezikshme për jetën. Viktima është rrëzuar përtokë dhe i ka dhënë të gjitha paratë që kishte me vete – rreth 300 euro, pas së cilës i dyshuari ka ikur”, thonë nga Prokuroria.

Exit mobile version