Senatorët e SHBA Gary Peters dhe Joni Ernst njoftuan sot se do të rilançojnë Grupin Parlamentar të Senatit për Çështjet Shqiptare.
Peters dhe Ernst, të cilët do të shërbejnë si bashkë-kryetarët të grupit parlamentar, gjithashtu u takuan sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Siç njofton Ministria e Jashtme e Shqipërsisë përmes një njoftimi për media, grupi Parlamentar i Senatit për Çështjet Shqiptare do të ndihmojë për të lehtësuar dialogun mbi çështjet kritike me të cilat përballet komunitetit shqiptaro-amerikan dhe shtetet në Europën Juglindore me popullsi të konsiderueshme shqiptare.
“Shqipëria është një aleat kyç i Amerikës dhe një anëtare e vlerësuar e komunitetit ndërkombëtar, e angazhuar për përparimin e demokracisë dhe miratimin e reformave kritike. Ndjehem krenar që përfaqësoj një nga popullsitë më të mëdha të shqiptaro-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara. Kontributet e tyre të mëdha për ekonominë dhe kulturën e Michiganit janë një testament krenarie për shqiptaro-amerikanët në trashëgiminë e tyre” u shpreh senatori Peters. “Unë pres të punojmë me senatorin Ernst për të riafirmuar lidhjet e thella që ekzistojnë ndërmjet popullit amerikan dhe popullit shqiptar dhe të mbështesim të drejtat demokratike të shqiptarëve në vendet e Ballkanit.”
“Është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet tona me aleatët tanë në Evropën Juglindore,” theksoi senatori Ernst.
“Ishte e mrekullueshme të takoja sot Ministrin Bushati, dhe si bashkë-kryetar i Grupit Parlamentar të Senatit për Çështjet Shqiptare së bashku me senatorin Peters, pres për diskutime të mëtejshme në lidhje me mënyrën se si ne mund të mbështesim më së miri avancimin e objektivave tona të përbashkëta dhe interesave reciproke.”
Vitin e kaluar, senatori Peters u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Washington DC, biseduan marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe evidentuan kontributet e rëndësishme të shqiptaro-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara. Në Kongresin e 114-të, senatori Peters ishte bashkë-kryetar në Grupin Parlamentar të Senatit për Çështjet Shqiptare me ish-senatorin Mark Kirk.