Telegrafi

Ritenderohet prijekti ”Kosova e Re”

 Ministrja e Energjisë dhe Minierave (MEM), Justina Pula-Shiroka, tha se si pikë e rëndësishme e diskutimit ka qenë situata aktuale e projektit, analiza e shumë opsioneve sa i përket projektit “Kosova e re”, përzgjedhja e opsioneve si dhe mundësia për të rishpallur këtë projekt. Ministrja Pula – Shiroka ka potencuar disa arsye për të cilat ka ardhur deri tek vendimi për rishpallje të tenderit. Sipas saj njëra ndër arsyet është edhe situata financiare globale si dhe mundësitë që kanë të bëjnë me ngrohjen globale.

Në këtë projekt për të cilin kanë ofertuar katër konsorciume, dy nga ta janë larguar dhe në garë kanë mbetur vetëm dy konsorciume.

Minstrja Pula tha se një konsorcium është paralajmëruar që të vazhdojë garën, ndërsa konsorciumi tjetër është ende në diskutim. Largimi i këtyre dy konsorciumeve sipas saj ka qenë kryesisht kriza financiare dhe orientimi i strategjive dhe politikave të tyre në vendet tjera. Ministra ka potencuar se sipas ligjeve aktuale të cilat janë në fuqi, edhe me dy konsorciume ka pasur mundësi të vazhdohet gara, mirëpo për shkak të situatës aktuale, konkurrencës dhe opsioneve më të mëdha dhe më të mira, është menduar se duhet të rishpallet ky projekt. Konsorciumet të cilat kanë mbetur në garë, sipas saj edhe më tutje do të vazhdojnë, ndërsa do të bëhet edhe një ftesë për investitorët apo ofertuesit të cilët dëshirojnë të marrin pjesë.
“Konsorciumet që janë në garë mbesin në garë, dhe se kjo është bërë  për shkak të krizës financiare, kështu që  kemi qenë deri diku të detyruar t’i bëjmë opsionet me të përshtatshme me politikat aktuale në botë”, tha ajo. Sipas ministres Pula, në dhjetor do ta bëhet shprehja e interesit për tërheqje të investitorëve apo ofertuesve, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në garë në këtë projekt. Ndërsa nga mesi i janarit, sipas saj do të mbahet një konferencë me investitorët e ri dhe se deri në fund të janarit do të përmblidhen konsorciumet të cilat dëshirojnë të jenë pjesë e këtij projekti, ndërsa nga mesi i shkurtit do të jetë tenderi i cili do të iu ofrohet ofertuesve. “Në shkurt menjëherë do të ketë të definuar projektet dhe besoj se do të iu nevojitet tre muaj ofertuesve të përgatiten”, tha ajo. Ndërsa Përfaqësuesi i Bankës Botërore Ranit Nayak, tha se ata kanë diskutuar mënyrën se si të shkohet përpara  në kontestin e balancimit të krizës dhe në ndryshimet e tenderimit të projektit të Kosovës së Re. “Kemi diskutuar për ide të reja që shumë prej tyre kanë pasur të bëjnë me idetë e reja dhe kemi selektuar procesin për më shumë investitorë, që do të mund të ishin të interesuar për projektin dhe projekti është i mbyllur”, ka pohuar Nayak. Me projektin e ri kapacitetet e termocentralit “Kosova e Re” do të jenë 1000 MW.