Qysh si fëmijë, kishte shpreh dashurinë ndaj sporteve. Pa e menduar që një ditë, ajo do të bëhej fituese e shumë çmimeve.
Është kjo sportistja Rita Zeqiri e cila filloi te merret me notin në moshën nëntë vjeçare, ku për 12 vite ka qenë kampione e shumëfishtë në Kosovë.
Mirëpo tani ajo ka një synim të ri.
Më 12 Maj, të këtij viti, do të marrë pjesë në garën e Ironman Triathllon , në Francë, apo misioni i njeriut të hekurt, dhe në rast të përfundimit të kësaj gare, do të bëhej femra e parë shqiptare që e bën një gjë të tillë.
“Në këtë garë mundet me shkua cilido persona që mendon se është i gatshëm me përfundu. Nuk ka kritere të caktuara për pjesëmarrje, por ti duhet të dish vetë nëse je i gatshëm për të përfunduar një garë të tillë. Kjo garë përveç që kërkon një përgatitje të madhe psiqike dhe fizike, duhet më pasë edhe teknika të veçanta në disiplina të caktuara. Gara ka tri disiplina: notin, biçikletën dhe vrapimin”, tha për RTV Dukagjinin, Rita Zeqiri.
Rita ka thënë se duhet ta duash punën që e bën, nëse dëshiron që të arrish majat.
“Kur kam filluar në fillim notin, ka qenë shumë e vështirë. Në Kosovë nuk ka pasur pishina as trajnerë të notit…Gjithçka do të varet prej dëshirës sime, por në fillim e kam objektivin-të përfundoj garën”, tha më tej Rita Zeqiri.
Para kësaj ajo ishte fituese e shumë çmimeve, nëpër garat në të cilat ka marrë pjesë. Ndërsa, atë që e kujton me më shumë dëshirë, dhe njëherit e cila mbetët më e rëndësishmja për të, ishte pjesëmarrja në Lojërat Olimpike Rio 2016.
Sportistja, Rita Zeqiri, ka thënë se dëshiron të luftojë deri në fund, në misionin që ia ka vë vetës. Tashmë ajo me një vullnet jashtëzakonisht të madh, është duke i bërë përgatitjet e fundit para nisjes në qytetin Aix en Provence. /RTV Dukagjini/Telegrafi/