Partia Demokratike (PD) është e sigurt që përgjimi ka ndodhur dhe atë që e quan “krim shtetëror” ja faturon drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama.
“Ky krim shtetëror e kapërcen masën e mundësive të Tahirit dhe është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Edi Ramës. Ai është duke i vënë vulën mafioze qeverisëse mbi ligjin dhe Kushtetutën”, tha për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani.
Sipas tij, ajo që shton edhe më shumë bindjen e opozitës është heshtja e kryeministrit. “Sa më shumë hesht, aq më shumë rëndon pozicionin e tij në shkeljen e ligjit, Kushtetutës dhe çdo norme demokratike në këtë vend”, tha Ristani.
Duke iu referuar deklaratës në Top Story të ministrit të Brendshëm, Arben Ristani tha se ai shmangu përgjigjen kur u pyet se kur ka hyrë pajisja në Shqipëri dhe a është e regjistruar.
“Tre herë u pyet, nëse është regjistruar pajisja dhe kur ka hyrë në Shqipëri dhe në të tre rastet, ai u shmang, iu fsheh këtij fakti, duke sulmuar opozitën”, tha sekretari i Përgjithshëm i PD.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm ka deklaruar në rrjetet sociale se opozita po e përdor si pretekst çështjen e përgjimit për t’iu shmangur reformës në drejtësi.
“Me pretekstin e “përgjimit”, nuk anashkalojnë dot as reformën në drejtësi, as luftën kundër pandëshkueshmërisë”, shkruan Tahiri. /Telegrafi/